Vendosni fjalën kyçe....

Çfarë përfshin marrëveshja e paqes SHBA-Iran (Pikat)


Një zyrtar i lartë iranian i tha Reuters se drafti përfundimtar i memorandumit të mirëkuptimit me Shtetet e Bashkuara mbulon një gamë të gjerë çështjesh, nga programi bërthamor i Teheranit deri te rihapja e Ngushticës së Hormuzit dhe lehtësimi i sanksioneve amerikane ndaj naftës.

Një marrëveshje përfundimtare pritet të negociohet brenda 60 ditëve pas miratimit të memorandumit nga të dyja palët, shkruan Reuters.

Ngushtica e Hormuzit

Sipas zyrtarit iranian, Teherani do të rihapë menjëherë Ngushticën e Hormuzit për të gjitha anijet tregtare, ndërsa SHBA-ja do të heqë bllokadën detare ndaj porteve iraniane.

Heqja e bllokadës amerikane do të nisë menjëherë pas nënshkrimit të memorandumit dhe do të përfundojë brenda 30 ditëve.

Çështjet financiare

SHBA-ja angazhohet të mos vendosë sanksione të reja ndaj Iranit deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

Pas marrëveshjes përfundimtare, të gjitha sanksionet amerikane dhe ato të OKB-së ndaj Iranit do të hiqen sipas një kalendari të dakordësuar.

Uashingtoni do të pezullojë për një periudhë të caktuar sanksionet mbi eksportet iraniane të naftës, duke i lejuar Teheranit të shesë naftë dhe të përfitojë të ardhurat.

SHBA-ja pranon të lirojë 25 miliardë dollarë nga asetet e ngrira të Iranit, përmes transfertave direkte në para, bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe linjave të kreditit.

Uashingtoni, në koordinim me aleatët rajonalë, do të përgatisë një plan rindërtimi dhe zhvillimi për Iranin, i cili do të negociohet dhe miratohet me Teheranin brenda 60 ditëve.

Programi bërthamor

Irani pranon se nuk do të prodhojë dhe as nuk do të sigurojë armë bërthamore.

Deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, Teherani do të ruajë statusin aktual të programit të tij bërthamor, duke mos vazhduar pasurimin e mëtejshëm të uraniumit dhe duke mos zgjeruar objektet bërthamore.

Shtetet e Bashkuara bien dakord që, në kuadër të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të ardhshme, Irani të mund të hollojë rezervat e tij të uraniumit shumë të pasuruar brenda territorit iranian.

Programi bërthamor iranian, aktivitetet e pasurimit të uraniumit dhe mekanizmat për trajtimin e rezervave të uraniumit të pasuruar do të negociohen gjatë 60 ditëve pas memorandumit dhe do të përfshihen në marrëveshjen përfundimtare.