
Pesë turistë të huaj janë shpëtuar nga Policia Kufitare e Himarës gjatë 24 orëve të fundit, pas dy incidenteve të ndodhura në Gjirin e Filikurit.
Sipas Policisë, në rastin e parë katër turistë, dy shtetas suedezë dhe dy nga Mbretëria e Bashkuar, mbetën të bllokuar për shkak të erës së fortë dhe dallgëve, pasi humbën kontaktin me grupin gjatë një lundrimi me kajak nga Potami drejt Filikurit. Pas kërkimeve, ata u lokalizuan pranë zonës së njohur si “Guri i Kuq” dhe u evakuuan në mënyrë të sigurt.
Në rastin e dytë, një shtetase australiane kërkoi ndihmë pasi kishte pësuar dëmtime fizike dhe ndodhej e bllokuar në Gjirin e Filikurit.
Njoftimi:
“Himarë / Policia Kufitare gjatë 24 orëve të fundit ndërhyri në dy raste emergjente në Gjirin e Filikurit.
Policia Kufitare në Himarë u ka ardhur në ndihmë 5 turistëve të huaj në dy raste emergjente të regjistruara në zonën e Gjirit të Filikurit, duke mundësuar shpëtimin dhe evakuimin e tyre në kohë.
Në rastin e parë, katër turistë të huaj, dy shtetas suedezë dhe dy nga Mbretëria e Bashkuar, të cilët kishin dalë me kajak nga zona e Potamit në drejtim të Filikurit, humbën kontaktin me grupin dhe mbetën të bllokuar për shkak të erës së fortë dhe dallgëve.
Pas njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare organizuan menjëherë kërkimet përgjatë vijës bregdetare dhe arritën t’i lokalizojnë pranë “Gurit të Kuq”. Turistët u evakuuan në mënyrë të sigurt.
Në rastin e dytë, një shtetase australiane kërkoi ndihmë pasi kishte pësuar dëmtime fizike dhe ndodhej e bllokuar në Gjirin e Filikurit.
Menjëherë u angazhua mjeti lundrues i Policisë Kufitare, i cili bëri të mundur lokalizimin dhe transportimin e saj drejt Portit të Himarës, ku më pas u dërgua për trajtim mjekësor në spital.
Turistët falënderuan shërbimet e Policisë për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar.
Policia Kufitare vijon të jetë e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve dhe, në këtë kuadër, fton qytetarët që në rast nevoje të telefonojnë në numrin 112.”, shkruan Policia.