Vendosni fjalën kyçe....

“Investimi në Zvërnec do bëhet, vlerësoj Berishën për qëndrimin pro projektit” – Balla


Kreu i grupit parlamentar të PS-së Balla tha se investimit në Zvërnec do bëhet ndërsa vlerësoi qëndrimin pro projektit nga ana e kreut të PD-së Berisha.

Ai nënkuptoi për ndërhyrje nga fqinjët kundër projektit në fjalë teksa përmendi se investimet e huaja në vend janë rritur.

“Nuk mund të mos e vlerësoj faktin dhe qëndrimin pro investimit. Një investim historik, më i madhi në historinë e Shqipërisë, për të cilin do flas pak më poshtë. U tha këtu se investimet e huaja kanë rënë. Tani, investimet e huaja direkte, në vitin 2012, që ishte viti i fundit i juaji në pushtet z. Sali, ishin 666 milionë euro. Në vitin 2025, shifra e investimeve të huaja direkte shkon 1.64 miliardë euro. Tani me matematikën e Lulit, mund të jetë 1.64 miliardë më e madhe se 666 milionë. Por me matematikën normale, 666-ta te 1.64 hyn të paktën 2.5 herë. Pra investimet e huaja direkte në Shqipëri janë rritur me të paktën 2.5 herë. Por zotëria, që urime edhe për zgjedhjen në krye të PD-së dhe nuk dihej se kush fitonte. Sa i përket PBB, GTP-ja ishte diku poshtë 10 miliardë euro, ndërkohë në 2025 e kemi kaluar 27 miliardë euro. Pra e kemi 3-fishuar ekonominë e vendit në një kohë kaq të shkuartër. Investimi në Zvërnec do bëhet, mos harroni që komshiu e ka zili komshiun, ndoshta jo i pari, por elementë të tjerë, do donin investimin për vete”, tha mes të tjerash Balla.

Kreu i PD-së vlerësoi investimin e Zvërnecit teksa theksoi se bëhet fjalë për investitorin e vetëm të huaj në 13 vite, i cili po përballet me përpjekje për t’u larguar nga Shqipëria.

“Por, në gjithë këtë histori, çfarë kemi? Investitori i vetëm i huaj në 13 vite po përballet me përpjekje për t’u larguar nga Shqipëria. Po jua them qartë: prej 13 vitesh nuk ka asnjë investitor të huaj të rëndësishëm në tokën shqiptare. Sipas ‘Europe Tender’, asnjë tender në Shqipëri nuk është fituar nga kompani europiane. Mos e harroni këtë fakt. Një prej kompanive më të fuqishme, e cila do të ndërtonte një resort turistik në Gjirin e Lalzit me vlerë 1.5 miliardë euro, u përball me pengesa dhe presione të vazhdueshme deri në largimin e saj. Pronari i saj priste në zyra për zgjidhje, por pa rezultat. Sot nuk kemi asnjë investitor të huaj të rëndësishëm. Çfarë po ndodh? Cili është qëndrimi i Partisë Demokratike? Qëndrimi ynë është i qartë: ne besojmë se investimet e huaja janë jetike për zhvillimin e Shqipërisë.

Nga viti 2008 deri në vitin 2013, investimet e huaja varionin nga 1.2 deri në 1.4 miliardë euro në vit. Ndërkohë sot, Partia Demokratike vazhdon të mbështesë investimet e huaja, por ju po largoni të vetmin investitor të huaj që ka mbetur në Shqipëri. Mbajeni shënim këtë. Nëse një investitor disponon një projekt të miratuar nga qeveria dhe dokumente të firmosura nga institucionet zyrtare, kadastra dhe agjenci të tjera shtetërore, atëherë, pasi shteti e ka miratuar projektin, investitori nuk duhet të mbajë përgjegjësi për konfliktet e mëvonshme. Çdo qytetar që pretendon padrejtësi apo abuzim duhet të përballet me shtetin, i cili ka detyrimin ta dëmshpërblejë me vlerën reale të tregut dhe, njëkohësisht, të ndëshkojë me forcën e ligjit falsifikatorët dhe spekulantët.” – tha Berisha.