Vendosni fjalën kyçe....

“Mos harroni, ditën që do më shkonte në mendje t’ju tradhtoja do largohesha kokëulur” – zotohet Rama


Kryeministri Edi Rama ka reaguar gjatë një deklarate publike për protestat që janë zhvilluar në lidhje me projektet në zonën e Zvërnecit, të cilat u shtrinë edhe në Tiranë. Ai dha një sërë sqarimesh për procesin dhe mënyrën se si po trajtohen investimet në këto zona, duke e zhvendosur theksin te vizioni afatgjatë për zhvillimin e vendit.

Rama u shpreh se projektet duhet të lejohen të ecin përpara dhe të gjykohen vetëm pasi të përfundojnë, ndërsa kritikoi mënyrën si, sipas tij, po deformohet debati publik.

“Është diçka krejt tjetër, lërini të mbarojnë punën pastaj gjykoni. Nëse nuk do ju pëlqejë projekti, shkoni dhe merrini me guna përmbi tela. Nuk mund ta lëmë këtë debat të bëhet për një kompani private”, deklaroi ai.

Kryeministri shtoi se çështja nuk duhet reduktuar në emra kompanish apo individësh, por duhet parë si një vendimmarrje strategjike për të ardhmen e Shqipërisë.

“Edhe pse unë nuk do isha aq i lumtur kur shikoj ato pamje që shpërndahen në botë, ky nuk është debat as për një kompani private. Ky është debat për Shqipërinë dhe për çfarë Shqipërie duam nesër. A e mbajmë dot sfidën e një gjëje të madhe?”, tha Rama.

Ai theksoi se projektet e mëdha zhvillimore kanë edhe rreziqet e tyre, por sipas tij vendi duhet të jetë i gatshëm për t’i përballuar nëse synon zhvillim ekonomik dhe turistik në shkallë të gjerë.

“Është projekt i madh dhe ka rreziqet e veta. A jemi gati të punojmë për këtë? Kjo është sfida jonë dhe për këtë duhet të angazhohemi”, u shpreh ai.

Rama mohoi gjithashtu se ekziston një përplasje mes qeverisë dhe qytetarëve që protestojnë, duke shtuar se debati nuk lidhet me persona të caktuar, por me interpretimet e bëra mbi projektet.

“Me ju nuk kam luftë apo dilemë. Me ju nuk kam parasysh as Fatos Lubonjën, e kam pasur mik dhe më vjen keq për të. Më vjen keq edhe për ata që shkojnë pas tij, sepse është e pavërtetë, tërësisht e pavërtetë”, tha ai.

Ai komentoi edhe incidentin e gardhit dhe reagimet që e shoqëruan, duke e cilësuar atë si një episod të izoluar që nuk duhet të deformojë debatin kryesor.

“Nuk mund të bëhet një gardh shumë i shëmtuar, një akt skandaloz i një roje sigurie, pleshti që djeg gjithë jorganin. Kompania e mori dënimin e vet të plotë. Ata që vunë telat me gjemba do ta paguajnë dhe ne do vazhdojmë përpara”, deklaroi Rama.

Në fund të fjalës së tij, kryeministri përsëriti se vendimet për projektet do të ecin përpara dhe u kërkoi qytetarëve të qartësojnë qëndrimin e tyre.

“Mos harroni, ditën që do më shkonte në mendje t’ju tradhtoja do largohesha kokëulur dhe nuk do rrija më këtu. Ndajeni mendjen si doni të vazhdojmë”, përfundoi ai.