
Nesër është afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve në garën për kreun e PD-së në zgjedhjet e 23 majit.
Ervin Salianji ka mbetur jashtë garës duke qenë se është djegur nga një pikë e vënë në listën e dokumenteve që duhen për t’u regjistruar; të mos qenit i dënuar me vendim të formës së prerë.
Në garë përveç kreut historik të selisë blu Berisha, ka shprehur dëshirën për të qenë pjesë edhe aktivistja Evi Kokalari, e cila ka akuzuar Berishën dhe Nokën se po përpiqen ta pengojnë. Po kështu edhe ish-kandidatja për deputete Alesia Balliu ka shprehur publikisht kandidaturën e saj, por nuk dihet ende nëse do jetë pjesë e garës së 23 majit.
Berisha e Salianji kanë zhvilluar prej kohësh një përplasje në distancë me akuza të ndërsjella.
Ndërsa Berisha e akuzon Salianjin se ka bashkëpunuar me kryeministrin Rama dhe me elementë të krimit të organizuar në foltoret e veta, Salianji e akuzon kryedemokratin se ka marrë peng PD-në, se është non-grata nga SHBA e Britania dhe se nuk synon të vijë në pushtet po kërkon të mbajë peng opozitën.

