Vendosni fjalën kyçe....

Kancelari Merz kritikon Iranin: Po poshtëron SHBA-në dhe po zvarrit negociatat



Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka kritikuar udhëheqjen e Iranit, duke e akuzuar se po poshtëron Shtetet e Bashkuara dhe po zvarrit procesin e negociatave.

Sipas Reuters, gjatë një takimi me studentë në qytetin Marsberg, Merz u shpreh se Irani po tregohet i aftë “jo për të negociuar, por për të mos negociuar”, duke iu referuar udhëtimeve të zyrtarëve amerikanë në Islamabad pa arritur rezultate konkrete.

“Një komb i tërë po poshtërohet nga udhëheqja iraniane, veçanërisht nga të ashtuquajturat Garda Revolucionare”, deklaroi ai, duke shtuar se shpreson që situata të përfundojë sa më shpejt.

Merz ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi strategjinë e daljes së SHBA nga konflikti, duke theksuar se nuk është e qartë se cili është plani i Uashingtonit në këtë drejtim.

Ai nënvizoi se vendet evropiane nuk janë konsultuar përpara nisjes së sulmeve ndaj Iranit, ndërsa shtoi se kishte shprehur skepticizmin e tij drejtpërdrejt ndaj presidentit amerikan Donald Trump.

Sipas tij, konflikti ka pasoja të drejtpërdrejta ekonomike për Evropën, duke i kushtuar Gjermanisë “shumë para dhe shumë fuqi ekonomike”.

Në këtë kuadër, Merz bëri të ditur se ekzistojnë dyshime se Ngushtica e Hormuzit është minuar pjesërisht, duke shtuar se Evropa ka ofruar dërgimin e mjeteve pastruese të minave për të garantuar lundrimin.

Deklaratat e kancelarit gjerman vijnë në një moment kur përpjekjet për rifillimin e negociatave janë zbehur, pas dështimit të kontakteve diplomatike të fundit dhe përshkallëzimit të situatës në rajon.