Autoritetet siriane njoftuan se kanë arrestuar të dyshuarin kryesor për masakrën në Tadamon, gjatë një operacioni sigurie të zhvilluar në zonën rurale të Hamës, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Ministria e Brendshme tha se forcat e sigurisë së brendshme kanë kapur Amjad Youssef, i identifikuar si autori kryesor i vrasjeve masive në lagjen Tadamon të Damaskut. Rasti i Tadamonit tërhoqi vëmendje ndërkombëtare pasi dolën video-pamje që dokumentonin vrasjet gjatë luftës në Siri.
Më 27 prill 2022, “The Guardian” publikoi pamje që, sipas tij, ishin nxjerrë nga një rekrut i një milicie proqeveritare, ku shfaqeshin anëtarë të Degës 227 të Inteligjencës Ushtarake duke ekzekutuar të paktën 41 persona dhe duke djegur trupat e tyre.
Videoja tregonte një oficer të inteligjencës, i identifikuar si Youssef, duke qëlluar ndaj të ndaluarve me sy të lidhur dhe duar të lidhura.
Masakra ndodhi më 16 prill 2013, kur të paktën 41 persona u vranë pranë xhamisë “Othman” në lagjen Tadamon dhe trupat e tyre u hodhën në një gropë në një rrugë të zbrazët, në atë që u bë një nga mizoritë më të dokumentuara të konfliktit.
Administrata aktuale siriane ka njoftuar në mënyrë të përsëritur arrestime të personave të akuzuar për abuzime ndaj civilëve gjatë konfliktit 2011-2024 si pjesë e përpjekjeve për të siguruar llogaridhënie.
Ish-presidenti Bashar al-Assad, i cili sundoi Sirinë për gati 25 vjet, u arratis në Rusi, duke i dhënë fund sundimit disa dekadash të Partisë Baath që nisi në vitin 1963. Një administratë tranzitore e udhëhequr nga presidenti Ahmad al-Sharaa u formua në janar 2025.