Vendosni fjalën kyçe....

Projektit 100 milionë dollarë për zonën TEDA në Vlorë i jepet status strategjik


Komiteti i Investimeve Strategjike në Shqipëri ka miratuar statusin “investim strategjik me procedurë të veçantë” për projektin “Vlorë TEDA/RAMS Free Zone”, një zhvillim industrial dhe logjistik me vlerë të parashikuar rreth 100 milionë dollarë dhe me synim krijimin e deri në 10,000 vende pune. Projekti, i propozuar nga Rams Albania sh.p.k., parashikon zhvillimin e një zone të integruar ekonomike prej rreth 158 hektarësh në Vlorë, e konceptuar si park industrial dhe teknologjik me komponentë të automatizimit, inteligjencës artificiale dhe prodhimit të lehtë industrial.

Sipas vendimit, rreth 86.5 hektarë janë të identifikuar si pronë shtetërore, 65.4 hektarë si pronë private dhe 6.3 hektarë pa të dhëna të plota kadastrale. Ndërkohë zhvilluesi do të ketë rolin e administrimit të zonës dhe ndërtimit të infrastrukturës bazë.

Hapësirat brenda zonës do të jepen me qira për operatorë të ndryshëm ekonomikë.  Statusi strategjik jepet për një periudhe prej 4 vjetësh , i kushtëzuar me zbatimin e planit të veprimit.

Shteti shqiptar do të ofrojë masa mbështetëse përmes procedurave të përshpejtuara administrative. Përfshihet gjithashtu asistencë në dhënien e lejeve, licencave dhe autorizimeve. Vendimi parashikon konsolidimin e tokës dhe përfshirjen e pasurive shtetërore në mekanizmin e Fondit të Pasurive të Paluajtshme për Investime Strategjike. Një seri institucionesh do të ndjekin procedura për saktësimin e të dhënave kadastrale dhe kufijve të pronësisë. Vendimi sjell në vëmendje se brenda zonës përfshihen gjithashtu prona private që kërkojnë marrëveshje me pronarët përkatës.

Ministria përgjegjëse për ekonominë është ngarkuar të propozojë në Këshillin e Ministrave shpalljen e zonës TEDA dhe zhvilluesit ndërsa  Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve do të monitorojë zbatimin e planit të veprimit. Vendimi parashikon se statusi mund të revokohet në rast të deklarimeve të pasakta ose ndryshimeve materiale në të dhëna.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor