Vendosni fjalën kyçe....

‘Gra’ me shami dyshohet se afrojnë fëmijët te një furgon i kuq, eksperti i sigurisë: Rreziku për rrëmbim i ulët por kërkohet vigjilencë


Një video që po qarkullon në rrjetet sociale, ku shfaqet një furgon i kuq dhe një person me shami që u flet fëmijëve, ka shkaktuar shqetësim te prindërit. Për këtë rast ka reaguar eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, në emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN.

Sipas Softës, situata mund të interpretohet në tre skenarë: nga aktivitete të zakonshme të organizatave që kontaktojnë me fëmijë, te ndikime ideologjike, deri te një mundësi shumë e vogël për tentativa rrëmbimi. Ai theksoi se raste të tilla janë pothuajse të pamundura në Shqipëri, pasi mungojnë statistika për rrëmbime fëmijësh nga persona të panjohur.

“Nëqoftëse do ta analizojmë këtë pamje, ka tre situata. Si semafori: jeshilja, e verdha dhe e kuqja. Jeshilja është një situatë që grupe të caktuara shoqatash mund të kryejnë aktivitet. Zakonisht përdorin aktivitete të tilla që shpërndajnë materiale të ndryshme ku kontaktojnë kryesisht fëmijë, por dhe prindër; skenari i dytë mund të jenë aktivitete të cilat shkojnë te ndikimi ideologjik; e treta mund të jenë tentativa për rrëmbim, gjë që është një mundësi fare e vogël, pothuajse e pamundur. Dhe kur them e pamundur do të thotë që nuk kemi statistika në Shqipëri që të rezultojnë rrëmbime fëmijësh. Por, duhet shtuar vëmendja ndaj fëmijëve, kryesisht nga ana e prindërve në radhë të parë, por dhe të institucioneve të sigurisë që e kanë detyrim ligjor, tha Softa.

Më tej, eksperti tregoi 3 elementë shqetësues, sipas tij, te videoja që ka qarkulluar.

“E para, furgoni nuk ka logo. Nëqoftëse flasim për një organizatë, ajo zonja duhet të ketë një uniformë, një “badge” apo diçka. Dhe xhamat e zit e furgoni. Pse duhet të jetë një makinë me xhama të zi? Çfarë fsheh, çfarë ka brenda? Dhe pse i fshihet kamerës? I fshihet ndoshta për shkak të fesë, i fshihet për shkak të turpit apo i fshihet ndoshta për veprimet që ajo bën? Aq më tepër ndjeshmëria ndaj fëmijëve sepse shqiptarët kanë në memorje të freskët ato lajme të ardhura nga Italia, ku ka pasur tentativa në supermarkete për rrëmbime fëmijësh. Ky rast duhet të zbardhur dhe sa më parë, që të qetësojë komunitetin e prindërve, të qetësojë të gjithë se s’ka njeri të mos ketë nipër dhe mbesa“.

Sipas ekspertit, “Shqipëria ka pasur disa elementë rrëmbimi, por kryesisht kanë qenë brenda familjarëve”.

“Ka qenë rasti kur gjyshërit e morën fëmijën, nuk e raportuan dhe ishte nëna që bëri denoncimin derisa gjetën vendndodhjen e tyre. Kjo përbën rreth 80% të rasteve. Ne jemi një vend i vogël, e njohim territorin, njohim njëri-tjetrin dhe kjo mundësi është më e vogël”, theksoi Softa.