
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka deklaruar se ka publikuar prova të reja në lidhje me çështjen ndaj presidentit të kësaj force politike, Ilir Meta, duke kundërshtuar akuzat e ngritura nga SPAK.
Në një deklaratë publike, Blushi u ndal te çështja e kartave bankare, të cilën e cilësoi si një mashtrim të qëllimshëm ndaj autoriteteve amerikane.
“Meta kurrë nuk ka përdorur në jetën e tij një kartë bankare shqiptare, jo më amerikane apo europiane. Kjo ‘provë’ imagjinare nuk ekziston. Zero kartë bankare e përdorur nga Ilir Meta gjatë gjithë jetës së tij!”, u shpreh ai.
Blushi hodhi poshtë edhe pretendimet për ndërhyrje të Metës në miratimin e ligjit për minierat në vitin 2014, duke theksuar se procedura ligjore është ndjekur sipas rregullave parlamentare dhe se nisma është propozuar dhe mbështetur nga përfaqësues të Partisë Socialiste.
Sipas tij, “nuk ekziston asnjë provë ligjore që implikon Ilir Metën”, ndërsa shtoi se ndryshimet në ligj kanë përfituar qindra kompani dhe nuk lidhen me interesa të veçanta.
Ai komentoi edhe rastin e kompanisë celulare “PLUS”, duke theksuar se pretendimet për ndërhyrje janë të pabazuara.
“Zero prova. Zero fakte. Zero mesazhe apo komunikime telefonike ndërmjet Ilir Metës dhe çdo personi tjetër për të favorizuar kompaninë PLUS”, deklaroi Blushi.
Në përfundim, ai i cilësoi akuzat si manipulime dhe mashtrime, duke theksuar se çështja do të sqarohet gjatë procesit gjyqësor.