
Shtetet e Bashkuara kanë kryer një tjetër goditje ndaj një mjeti të dyshuar për trafik droge në Detin Karaibe, ku sipas ushtrisë amerikane janë vrarë tre persona.
Ky operacion është pjesë e një fushate më të gjerë të nisur nga administrata e Donald Trump kundër trafikut të drogës drejt SHBA-së. Sipas të dhënave zyrtare, që nga fillimi i kësaj fushate në shtator, janë vrarë të paktën 181 persona në goditje të ngjashme, të kryera si në Detin Karaibe ashtu edhe në Oqeanin Paqësor, përcjell Euronews.
Komanda Jugore e SHBA-së bëri të ditur se objektivi i sulmeve janë rrugë të njohura të trafikut të drogës, ndërsa në një video të publikuar shfaqet një mjet lundrues që goditet dhe shpërthen në flakë.
Administrata amerikane e ka cilësuar këtë qasje si pjesë të përpjekjeve për të frenuar trafikun e narkotikëve dhe për të reduktuar numrin e vdekjeve nga mbidozat në SHBA, duke e konsideruar fenomenin si kërcënim për sigurinë kombëtare.
Fushata është intensifikuar ditët e fundit, edhe në një moment kur SHBA është e angazhuar në zhvillime të tjera ndërkombëtare, përfshirë tensionet në Lindjen e Mesme. Sipas autoriteteve, operacionet do të vijojnë në kuadër të luftës kundër trafikut të drogës.