
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë kanë zhvilluar një operacion të gjerë kundër lojërave të fatit dhe veprimtarive të dyshuara të paligjshme, të shtrirë në disa qytete të vendit.
Aksioni është realizuar në Mitrovicë, Vushtrri, Istog dhe Skenderaj, ku janë bastisur rreth 50 lokacione, përfshirë lokale dhe banesa që dyshohet se përdoreshin për aktivitet të paligjshëm.
Si rezultat i operacionit, janë arrestuar 34 persona, ndërsa janë sekuestruar rreth 170 mijë euro para të gatshme, 5 automjete, armë zjarri dhe pajisje të ndryshme që dyshohet se përdoreshin për bixhoz ilegal.
Me vendim të prokurorit, 29 nga të ndaluarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.
Në Skenderaj, gjatë kontrolleve në 15 lokacione, janë arrestuar 8 persona, nga të cilët 4 janë dërguar në ndalim.
Autoritetet kanë bërë të ditur se operacione të tilla do të vijojnë edhe në të ardhmen, me synim goditjen e krimit të organizuar dhe forcimin e rendit dhe sigurisë publike.