Prokuroria e Fierit ka dërguar në gjyq kryeinspektorin dhe dy inspektorët e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) Divjakë për shpërdorim detyre.
Sipas hetimeve, dy ish-kryeinspektorët Romeo Leka dhe Ilir Kaboçi, si dhe inspektori Sulejman Muça nuk kanë ushtruar përgjegjësitë ligjore për kontrollin e territorit, në të paktën 31 raste.
Rezultoi po ashtu se edhe në rastet e konstatimit të kundërvajtjeve administrative të ndërtimeve pa leje, nuk është ndjekur procedura e rregullt ligjore, sipas parashikimeve të ligjit si konstatimi, vendosja e gjobës, prishja e objektit dhe kallëzimi penal.
Gjithashtu nuk rezultoi të jenë ndërmarrë veprime për vjeljen e masave administrative, duke tejkaluar edhe afatet e parashkrimit, çka ka sjellë një dëm real në buxhetin e shtetit.
Nga hetimi u provua se dëmi ekonomik në buxhetin e shtetit dhe të njësisë vendore nga mosvjelja e gjobave për periudhën 2021–2022, është në vlerën 11,170,000 (njëmbëdhjetë milion e njëqind e shtatëdhjetë mijë) lekë.
