Vendosni fjalën kyçe....

Policia njofton masat për protestën e PD në Tiranë, bllokime në disa akse kryesore



Policia e Shtetit ka bërë publike masat e sigurisë në kuadër të protestës së paralajmëruar nga Partia Demokratike, e cila do të zhvillohet më 17 prill në Tiranë.

Sipas njoftimit zyrtar, përfaqësues të PD kanë informuar autoritetet për organizimin e një tubimi nga ora 19:00 deri në orën 22:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Kryeministrisë.

Në zbatim të planit të masave, Policia e Tiranës ka parashikuar kufizime dhe bllokime të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore kryesore.

Konkretisht:

  • Nga ora 23:45 e datës 16 prill deri në përfundim të tubimit, do të ndalohet lëvizja dhe parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga zona e njohur si “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”.
  • Nga ora 15:00 e datës 17 prill deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Policia thekson se masat janë marrë në zbatim të ligjit “Për tubimet”, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së protestës.

Në përfundim, autoritetet u bëjnë thirrje organizatorëve të respektojnë orarin dhe vendin e përcaktuar për tubimin, ndërsa qytetarëve u kërkohet mirëkuptim për kufizimet në qarkullim. Gjithashtu, Policia apelon që qytetarët të distancohen nga çdo veprim i kundërligjshëm që mund të cenojë rendin dhe sigurinë publike.