Vendosni fjalën kyçe....

Serbi-Izrael marrëveshje për dronët, plan për prodhimin e 80 mijë mjeteve fluturuese brenda dy viteve


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi këtë të martë arritjen e një marrëveshjeje strategjike me Izraelin për krijimin e një kompanie të përbashkët mbrojtjeje.

Ky projekt ambicioz synon prodhimin e deri në 80,000 dronëve brenda dy viteve të ardhshme, duke kombinuar teknologjinë e avancuar izraelite me infrastrukturën prodhuese të Serbisë, përcjell Ynet.

Sipas Vuçiç, partneriteti do të jetë i strukturuar në mënyrë të barabartë (50 me 50), duke i garantuar Beogradit akses në njohuritë më të fundit ushtarake për mjetet ajrore pa pilot, përfshirë edhe dronët kamikazë (loitering munitions).

“Ne nuk mund të prodhojmë dronë siç mundet Izraeli, por jam krenar që do ta bëjmë së bashku. Kjo garanton që ne do të kemi dronët më të mirë në rajon,” u shpreh Vuçiç para gazetarëve, duke nënvizuar se qëllimi është dominimi teknologjik në këtë sektor brenda Ballkanit.

Ky zhvillim vjen pas një periudhe ku Serbia ka rritur ndjeshëm eksportet e municioneve drejt Izraelit, edhe pse shumë vende europiane kanë pezulluar bashkëpunimin ushtarak me Tel Avivin për shkak të luftës në Lindjen e Mesme. Beogradi po kërkon të kthehet në një qendër rajonale për prodhimin e dronëve, pasi vitin e kaluar shpalli planet për hapjen e një fabrike të madhe prodhimi për nevoja të inteligjencës dhe sulmit.

Ndërsa Serbia forcon lidhjet, Italia ka mbajtur një qëndrim tjetër. Qeveria e Giorgia Melonit njoftoi po të martën pezullimin e rinovimit automatik të marrëveshjes së bashkëpunimit për mbrojtjen me Izraelin.

Megjithatë, zyrtarët izraelitë u shprehën se ky lëvizje e Romës nuk do të ketë implikime praktike në lidhjet e tyre të sigurisë.