Vendosni fjalën kyçe....

Meta përkujton Tragjedinë e Otrantos: Fatkeqësisht eksodi i shqiptarëve vijon edhe sot


Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar 25 vjetorin e Tragjedisë së Otrantos të ndodhur në 28 mars 1997 ku humbën jetën shtetas shqiptarë në përpjekje për tu larguar drejt Italisë.

Meta thotë se eksodi i shqiptarëve po vazhdon edhe sot me ritme alarmuese ndonëse me forma të tjera.

Në 25-vjetorin e Tragjedisë së Otrantos, përkujtojmë me dhembje jetët e humbura në përpjekjet dëshpëruese për të gjetur një të ardhme më të mirë larg Shqipërisë.

Për fat të keq, ndonëse në forma të tjera, eksodi i pandalshëm i shqiptarëve po vazhdon ende edhe sot, me ritme alarmuese, aq sa shpopullimi vijon të jetë drama më e madhe, që po i ndodh vendit.

Të bëjmë të gjitha përpjekjet që nevojiten, me përgjegjshmëri, atdhetari dhe profesionalizëm, për të ndalur këtë fenomen tragjik dhe për t’u dhënë mundësi të reja, në veçanti të rinjve, për të ndërtuar të ardhmen e tyre të sigurt në Atdhe!”-shkruan Meta.