Tirana ka arritur të marrë një fitore me mjaft peshë në javët e fundit të kampionatit, duke mposhtur me rezultatin 3-1 kampionët në fuqi të Egnatias.
Në një stadium “Selman Stërmasi” të mbushur nga entuziazmi, bardheblutë treguan karakter duke marrë tri pikë që mund të peshojnë sa vetë qëndrimi në Kategorinë Superiore.
Ndeshja nisi mjaft mirë për vendasit, të cilët gjetën rrugën e rrjetës që në minutën e 12-të me anë të Tabekut.
Megjithëse fillimisht goli u anulua për pozicion jashtë loje, sistemi VAR korrigjoi vendimin e gjyqtarëve anësorë, duke e cilësuar aksionin si të rregullt dhe duke ndezur festën në shkallët e stadiumit.
Pjesa e dytë nisi me një goditje për kryeqytetasit, kur Buriç shfrytëzoi një përgjumje të mbrojtjes bardheblu për të vendosur baraspeshën e përkohshme 1-1. Megjithatë, Tirana nuk u thye dhe reagoi menjëherë.
Ishte Redon Xhixha ai që riktheu avantazhin duke u treguar i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, ndërsa pak minuta më vonë, Halili me një goditje të fortë me kokë vulosi shifrat përfundimtare në 3-1.
Për Tiranën kjo fitore vjen në momentin më kritik të sezonit. Aktualisht, bardheblutë ndodhen në vendin e tetë me 31 pikë, po aq sa Vora e vendit të shtatë, duke e bërë garën për t’i shpëtuar zonës së rrezikshme më të hapur se kurrë.
Nga ana tjetër, Egnatia pëson një hap fals që e mban në vendin e dytë, por pa mundur të afrohet me kreun. Sfidat për Tiranën nuk mbarojnë këtu, pasi ndeshja e radhës është derbi ndaj Dinamos më 17 prill, një tjetër “finale” që do të përcaktojë fatin e klubit më të titulluar në vend.
