Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar përgjysmimin urgjent të taksave mbi karburantet, duke e cilësuar këtë si të vetmen mënyrë për të frenuar rritjen e çmimeve për qytetarët.
Gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit në rrjetet sociale, ai theksoi se niveli aktual i taksës prej 1.1 euro është “absurd” dhe duhet ulur menjëherë.
“Nuk ka asnjë mundësi tjetër për të ndihmuar qytetarët përveç përgjysmimit të nivelit absurd të taksës 1.1 euro. Me specialistët më të mirë të fushës kemi punuar për tre javë për të sjellë propozime konkrete në favor të qytetarëve,” – u shpreh Berisha.
Ai ngriti gjithashtu akuza për kontrabandë të naftës, duke pretenduar se sasi të mëdha karburanti hyjnë në vend pa u doganuar.
“Duhet të luftohet me çdo kusht kontrabanda qeveritare, sepse janë të paktën 350 mijë tonë naftë që vijnë me anije të padoganuara, gjë që mund të ndodhë vetëm me mbështetjen e ministrave dhe Edi Rama,” – deklaroi ai.
Duke komentuar idenë për krijimin e një ndërmarrjeje shtetërore në sektorin e karburanteve, Berisha e cilësoi atë si një “zgjidhje mashtruese”, duke e krahasuar me iniciativa të mëparshme si AKSHI dhe Air Albania.
“Ndërmarrja shtetërore nuk bën asgjë tjetër veçse ‘saldojë’ këto nivele çmimesh dhe një ditë të bukur falimenton, duke gjobitur qytetarët pas vjedhjes së qindra milionë eurove,” – tha ai.
Në fund, Berisha u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në protestën e paralajmëruar më 17 prill, duke e cilësuar situatën si të papranueshme për ekonominë dhe jetesën e përditshme.
