Vendosni fjalën kyçe....

“Çmimi i naftës mund të bjerë me 24 lekë/litër”, Bozdo: Propozimet e PD për përballimin e krizës


Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, ka paraqitur propozimet e opozitës për përballimin e rritjes së çmimeve të karburanteve, në kushtet e krizës globale të energjisë dhe zhvillimeve në Lindjen e Mesme.

Gjatë një interviste në News24, Bozdo u ndal te ndikimi që ka bllokimi i Ngushtica e Hormuzit në tregjet ndërkombëtare, duke theksuar se Shqipëria nuk mund të jetë e izoluar nga këto zhvillime.

Ai bëri të ditur se opozita ka propozuar një paketë ligjore me dy projektligje kryesore. Sipas tij, propozimi i parë parashikon uljen e taksës së qarkullimit nga 27 lekë të vjetra për litër në 7 lekë për litër.

Kjo do sillte një ulje të menjëhershme të çmimit me 24 lekë për litër dhe do të ndihmonte si konsumatorët, ashtu edhe ekonominë prodhuese”, u shpreh Bozdo.

Propozimi i dytë lidhet me përdorimin e të ardhurave shtesë nga TVSH-ja në periudha kur rritet çmimi i naftës. Sipas tij, këto të ardhura duhet të përdoren për të ulur akcizën në të njëjtën masë, duke krijuar mundësi për reduktim të mëtejshëm të barrës fiskale mbi karburantet.

Deputeti demokrat theksoi gjithashtu se aktualisht rreth 60% e çmimit të naftës në Shqipëri përbëhet nga taksat, ndërsa në vendet e Bashkimit Evropian kjo përqindje është rreth 50%, madje në disa shtete edhe më e ulët.

Sipas tij, këto diferenca bëhen edhe më të ndjeshme kur krahasohen me nivelin e shërbimeve publike që ofrohen në vendet e BE-së.