Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur krijimin e një kompanie të re publike në ortakëri me Emiratet e Bashkuara Arabe, e quajtur Alb Trace, e cila do të merret me gjurmimin e naftës dhe produkteve të akcizës në Shqipëri.
Sipas Ramës, kjo kompani do të përdorë teknologji të avancuar për të ndjekur çdo sasi nafte që hyn në tregun shqiptar, me synim eliminimin e evazionit fiskal në këtë sektor.
“Gjurmimi i të gjithë sasive të naftës që hyjnë në tregun shqiptar do të garantohet me një teknologji të fjalës së fundit, për të zhdukur evazionin në këtë sektor”, u shpreh ai.
Kreu i qeverisë sqaroi se sistemi i ri do të zëvendësojë metodat ekzistuese, duke përfshirë edhe përdorimin e ngjyruesve për identifikimin e karburanteve, të cilët sipas analizave kanë rezultuar lehtësisht të manipulueshëm.
Rama theksoi se përveç gjurmimit, sistemi do të mundësojë edhe ndjekjen në kohë reale të mjeteve që transportojnë naftë, nga momenti i hyrjes në port deri në daljen në kufi.
Kjo do të bëhet përmes një teknologjie që nuk është e dukshme dhe që do të monitorohet nga një strukturë e specializuar me akses të kufizuar.
“Nga hyrja në port, deri tek dalja në kufi të gjitha mjetet do të jenë në ekran, në një vend ku do të hyjnë vetëm njerëz me certifikatë sigurie”, tha Rama.
Sipas tij, kjo nismë do të ndihmojë në eliminimin e konkurrencës së pandershme në treg dhe në uljen e nivelit të evazionit fiskal, i cili, edhe nëse është i vogël, mbetet i rëndësishëm për të ardhurat publike.
Kryeministri theksoi se të ardhurat që do të sigurohen nga goditja e evazionit në këtë sektor do të përdoren në radhë të parë për mbështetjen e pensionistëve.
“Çfarë do të nxjerrim nga lufta kundër evazionit në këtë fushë do ta çojmë në radhë të parë në drejtim të pensionistëve”, deklaroi ai.
