Vendosni fjalën kyçe....

Irani thotë se doktrina bërthamore nuk ka gjasa të ndryshojë, Ngushtica e Hormuzit ka nevojë për protokoll të ri


Qëndrimi i Iranit kundër zhvillimit të armëve bërthamore nuk pritet të ndryshojë ndjeshëm, deklaroi ministri i Jashtëm Abbas Araqchi për Al Jazeera, sipas mediave iraniane, duke theksuar se udhëheqësi i ri suprem ende nuk e ka bërë publik qëndrimin e tij për këtë çështje.

Ish-udhëheqësi suprem, Ajatollah Ali Khamenei, i cili u vra në fazat e para të luftës SHBA–Izrael kundër Iranit, kishte dalë kundër zhvillimit të armëve të shkatërrimit në masë përmes një fetvaje (dekret fetar) të nxjerrë në fillim të viteve 2000.

Vendet perëndimore, përfshirë SHBA-në dhe Izraelin, prej vitesh e akuzojnë Teheranin se synon të zhvillojë armë bërthamore, ndërsa autoritetet iraniane këmbëngulin se programi i tyre bërthamor ka vetëm qëllime civile, shkruan Reuters.

Araqchi shtoi se fetvatë varen nga juristi islam që i nxjerr ato dhe theksoi se ende nuk është në pozicion për të gjykuar qëndrimet juridike apo politike të Mojtaba Khameneit, udhëheqësit të ri suprem të Iranit.

Ministri i Jashtëm i Iranit deklaroi se, pas përfundimit të luftës, vendet që kufizohen me Gjirin duhet të hartojnë një protokoll të ri për Ngushticën e Hormuzit, me qëllim garantimin e kalimit të sigurt në këtë rrugë ujore strategjike.

Ai theksoi se lundrimi në këtë ngushticë duhet të zhvillohet sipas kushteve të caktuara që përputhen me interesat e Iranit dhe të vendeve të rajonit. 

Irani ka mbyllur këtë nyje jetike të energjisë, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit të lëngshëm në botë, duke deklaruar se “nuk do të lejojë asnjë litër nafte” të arrijë në SHBA, Izrael dhe aleatët e tyre.

Të martën, kryetari i parlamentit iranian deklaroi se situata në Ngushticën e Hormuzit nuk do të rikthehet në kushtet para luftës.

SHBA ka kërkuar të krijojë një koalicion detar për të shoqëruar anijet që kalojnë në këtë ngushticë, ndërsa shumica e aleatëve të NATO-s kanë bërë të qartë se nuk duan të përfshihen në operacione ushtarake kundër Iranit.

Franca, anëtare e NATO-s, ka deklaruar se do të konsideronte një koalicion ndërkombëtar për sigurimin e kalimit vetëm pas një armëpushimi dhe negociatave paraprake me Teheranin.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm Abbas Araqchi u shpreh se përfundimi i luftës është i mundur vetëm nëse konflikti mbyllet përfundimisht në të gjithë rajonin dhe nëse Irani kompensohet për dëmet e shkaktuara.