Vendosni fjalën kyçe....

“Nëse do propozohesha nga Vetëvendosje, do rizgjidhesha presidente” – Osmani


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha mbrëmjen e sotme se nëse Lëvizja Vetëvendosje do ta kishte propozuar atë si kandidate të vetme, atëherë ajo do rizgjidhej presidente.

Vetëvendosje propozoi Glauk Konjufcën si kandidat, ndërsa më pas ia kishte premtuar edhe Osmanit 30 nënshkrime për t’u kandiduar.

“Pastaj pas zgjedhjeve fillimisht më është thënë se ne i kemi vetëm 57 vota, do të jetë problem me opozitën dhe natyrisht që e kemi biseduar hapur se duhet të punojmë bashkë me opozitën dhe këtë e kam bërë. E kam diskutuar individualisht me deputetë, sidomos nga LDK-ja dhe nga disa parti të tjera më të vogla, kam diskutuar individualisht me partitë joshumicë duke ardhur në konkluzion se 80 vota do të bëheshin pa asnjë problem. Sikur unë të propozohesha si kandidatja e vetme e LVV-së dhe ta kishim një kandidat tjetër formal si gjithnjë, jam e bindur se sot do të kishim presidente, do ta kishim qeverinë Kurti dhe do të ishim duke diskutuar se si të kapitalizojmë nga përkrahja jashtëzakonisht e fuqishme e administratës Trump 2”, tha Osmani, shkruan Koha.

Ajo tha se kur ishte qartësuar se mund të ketë shanse të mëdha të rizgjidhej, nga VV-ja erdhi vlerësim i ri, e personalisht nga Kurti, se nuk do ta mbështesë kandidaturën. 

“Sa më shumë që punoja me opozitën dhe siguroheshim që votat vërtetë do të jenë aty, sepse e dini që LDK-ja ka thënë se s’ka pasur qëndrim refuzues për mua dhe ka pasur parti të tjera që fare nuk janë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në rast se propozohet emri im, por kur u  qartësua që unë kam shanse të zgjidhem, nga LVV-ja erdhi një vlerësim i ri dhe nga ai personalisht se nuk e mbështet kandidaturën time”, tha Osmani.