Dy shtetase nga Brazili janë arrestuar nga policia në Durrës, pasi dyshohet se kishin përshtatur dy ambiente të marra me qira për ushtrimin e aktivitetit të prostitucionit. Në kuadër të operacionit është proceduar penalisht edhe një i ri, si dhe pronari i ambienteve.
Sipas njoftimit të policisë, në pranga ranë shtetaset me inicialet N. P., 26 vjeçe, dhe M. B., 39 vjeçe, të lindura dhe banuese në Brazil. Ato dyshohen për veprat penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Prostitucion” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”.
Operacioni policor i koduar “Storm 15” u finalizua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në bashkëpunim me shërbimet operacionale të Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, pas një hetimi dyjavor me metoda speciale.
Nga hetimet rezultoi se dy shtetaset kishin marrë me qira dy ambiente në rrugën “Dalip Peza”, në lagjen nr. 17 të Durrës, të cilat i kishin përshtatur për ushtrimin e prostitucionit.
Në vijim të veprimeve procedurale, u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Prostitucioni” një shtetas 22-vjeçar banues në Durrës. Po ashtu u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Përshtatja e ambienteve për prostitucion” edhe pronari i ambienteve, shtetasi F. T., 30 vjeç, banues në Fushë-Krujë.
Gjatë operacionit, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy pasaporta të shtetaseve të huaja, një shumë parash, tetë aparate celularë, një pajisje DVR, karta telefonike, dy blloqe shënimesh, si dhe dy sasi të vogla lënde narkotike të dyshuara kanabis.
Policia bëri të ditur se gjatë ndërhyrjes njëra prej shtetaseve të huaja refuzoi të hapte derën e ambientit ku ndodhej, e cila u hap më pas me ndihmën e shërbimit zjarrfikës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrës për veprime të mëtejshme hetimore.
