Vendosni fjalën kyçe....

Trump pranon rrezikun e sulmeve iraniane në SHBA: Kur je në luftë, disa njerëz vdesin



Presidenti i SHBA, Donald Trump, pranoi se ekziston mundësia që Irani të kryejë sulme hakmarrëse në territorin amerikan dhe paralajmëroi se në çdo luftë ka pasoja njerëzore, përcjell Fox News.

Në një intervistë për revistën Time, Trump u pyet nëse amerikanët duhet të shqetësohen për sulme të mundshme në vend, në mes të konfliktit të vazhdueshëm në Lindjen e Mesme.

“Besoj se po”, tha ai, duke pranuar mundësinë e një skenari të tillë.

“Por mendoj se njerëzit shqetësohen për këtë gjatë gjithë kohës. Ne mendojmë për këtë gjatë gjithë kohës. Planifikojmë për këtë. Por po, ju e dini, presim disa gjëra”, u shpreh Trump.

Ai theksoi se lufta gjithmonë sjell humbje njerëzore.

“Siç thashë, disa njerëz do të vdesin. Kur hyn në luftë, disa njerëz do të vdesin”, shtoi presidenti amerikan.