Vendosni fjalën kyçe....

Rama dënon sulmet iraniane ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe: Agresion ndaj paqes dhe stabilitetit rajonal



Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas sulmeve me raketa të drejtuara nga Irani ndaj vendeve të rajonit, kryesisht ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe, përfshirë Dubain.

Në një reagim publik, Rama i cilësoi sulmet si “të verbëra dhe të dëshpëruara”, duke theksuar se ato përbëjnë jo vetëm një agresion ndaj një shteti sovran, por edhe një goditje ndaj stabilitetit, prosperitetit dhe perspektivës së paqes në Lindjen e Mesme.

Sipas tij, goditja ndaj Dubait – të cilin e përshkroi si një “oaz paqeje” – zbulon natyrën e regjimit në Teheran, që, sipas Ramës, eksporton dhunë dhe përdor terrorin si instrument për të frikësuar fqinjët dhe vetë popullin e tij.

Rama vlerësoi Emiratet e Bashkuara Arabe si një simbol global të promovimit të paqes, dialogut, dinamizmit ekonomik dhe bashkëjetesës ndërfetare, duke e cilësuar model për një Lindje të Mesme moderne dhe të sigurt.

Ai theksoi se Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë me udhëheqjen dhe popullin e Emirateve të Bashkuara Arabe, duke nënvizuar se siguria në Gjirin Persik nuk është një çështje lokale, por një imperativ global.

Në reagimin e tij, kreu i qeverisë bëri thirrje që komuniteti ndërkombëtar të flasë me qartësi dhe unitet kundër agresionit dhe destabilizimit, duke shtuar se e ardhmja e rajonit duhet të ndërtohet mbi njohjen reciproke, integrimin ekonomik dhe udhëheqjen e përgjegjshme.

Rama vlerësoi gjithashtu rolin e Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed Al Nahyan, duke e cilësuar vendin e tij një “far stabiliteti dhe progresi” për rajonin.