JD Vance dhe Marco Rubio deklaruan të mërkurën se Irani po rindërton dhe zgjeron programet e tij bërthamore dhe të raketave balistike, duke e cilësuar atë si një kërcënim të madh për interesat amerikane, përcjell DW.
Deklaratat vijnë një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump, gjatë fjalimit të tij për Gjendjen e Unionit, pretendoi se Irani “së shpejti” do të ketë kapacitetin për të goditur territorin kontinental të SHBA-së.
Rubio iu referua gjithashtu sulmeve të forcave amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane më 22 qershor 2025, gjatë përplasjes 12-ditore mes Iranit dhe Izraelit, duke thënë se pavarësisht goditjeve, Teherani po përpiqet të rindërtojë elementë të programit të tij.
Ndërkohë, Vance theksoi se “parimi është shumë i thjeshtë: Irani nuk mund të ketë armë bërthamore”.
Teherani këmbëngul se programi i tij bërthamor ka qëllime ekskluzivisht civile, por Uashingtoni dyshon se regjimi synon pasurimin e uraniumit në nivele të përshtatshme për armë. Irani ka paralajmëruar se në rast sulmi amerikan, do të ushtrojë të drejtën e vetëmbrojtjes, megjithëse ministri i Jashtëm Abbas Araghchi ka pranuar se vendi nuk ka kapacitet të godasë territorin amerikan.
Deklaratat vijnë në prag të raundit të tretë të bisedimeve bërthamore këtë vit, që pritet të zhvillohen në Gjenevë, ndërsa SHBA vijon grumbullimin e forcave ushtarake në Lindjen e Mesme.
Sipas agjencisë Associated Press, dy zyrtarë iranianë i kanë cilësuar akuzat e administratës Trump si “gënjeshtra të mëdha”, duke shtuar se negociatat mund të çojnë në një marrëveshje përmes “diplomacisë së ndershme”.
Rubio theksoi se presidenti Trump preferon zgjidhje diplomatike, por nënvizoi se në takimin e së enjtes duhet të arrihet progres konkret.
