
Gjashtë banorë të Rrjollit, të shoqëruar një ditë më parë pas përplasjeve me policinë, janë lënë të lirë këtë të mërkurë.
Situata në Velipojë vijon të mbetet e tensionuar, pasi banorët kundërshtojnë punimet që po kryhen në tokat që i konsiderojnë pronë të tyre. Sipas tyre, protestat do të vazhdojnë deri në zgjidhjen e situatës.
Njëri prej banorëve, pasi doli nga ambientet e policisë, deklaroi se është shoqëruar disa herë dhe se nuk do të tërhiqet nga kundërshtimi i tij.
“Është hera e 10 që shoqërohem nga 5 orë. Ditën e shtunë kam qëndruar 30 orë i ndaluar. Prokuroria e Shkodrës e ka quajtur të paligjshëm ndalimin tim. Kjo është për shkak të një polici që ka qejf të merret me mua. Ne nuk do të ndalim protestat. Do të jemi deri në fund, deri sa të fitojmë. Nuk na ndalon asgjë që të mbrojmë pronën tonë. Nuk e fal pronën, jam betuar. Do të jetë prona jonë, deri në fund, me çdo çmim”, u shpreh ai.
Banorët paralajmërojnë përshkallëzim të reagimit nëse punimet nuk ndërpriten, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një reagim të detajuar mbi vijimin e projektit në zonë.