
Disa mbështetës të opozitës janë dërguar mbrëmjen e sotme drejt Spitalit të Traumës, pas përplasjeve të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë dhe Parlamentit në Tiranë.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, vizitoi në orët e vona të së premtes të plagosurit në ambientet e spitalit, ku deklaroi se dy protestues kanë pësuar dëmtime serioze si pasojë e ndërhyrjes së policisë.
“Dy të rinj janë me kontuzion trunor. Njëri prej tyre, 18 vjeçar, është goditur me shkelm në kokë, teksa po largohej nga protesta. Është me hematomë serioze dhe mjekët po bëjnë kontrolle për të parë shkallën e dëmtimit”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, protestuesi i dytë është goditur nga pas në kokë dhe ka rënë pa ndjenja në mes të rrugës, duke pësuar gjithashtu kontuzion cerebral.
Berisha pretendoi gjithashtu se gjatë ndërhyrjes janë përdorur bombola gazi, duke përmendur edhe deputetin Luçiano Boçi, për të cilin tha se është goditur me bombol dhe ka pësuar djegie në dorë.
Megjithatë, ai theksoi se protesta ishte paqësore dhe se një pjesë e mirë e efektivëve të policisë kanë treguar vetëpërmbajtje.
Nga ana e Policisë së Shtetit nuk ka pasur ende një reagim zyrtar lidhur me pretendimet e ngritura nga kreu i opozitës.