
Një gjykatë në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, ka dënuar miliarderin dhe ish-shtetasin rus Ruben Vardanyan me 20 vjet burg.
Vardanyan u shpall fajtor të martën për krime të shumta lidhur me rolin e tij si ministër shteti në Republikën e Nagorno-Karabakut, tashmë të shpërbërë.
Ato përfshinin akuzat për luftë agresive, terrorizëm, marrje e pushtetit me dhunë, shkelje e rregullave të luftës, kontrabandë armësh, torturë.
Nagorno-Karabaku ishte në qendër të një mosmarrëveshjeje dekadash midis dy ish-republikave sovjetike, Armenisë dhe Azerbajxhanit. Bakuja rimori kontrollin e territorit pas një konflikti në vitin 2023, gjë që nxiti largimin e popullsisë së mbetur etnike armene dhe shpërbërjen e administratës lokale, shkruan Rt.
Vardanyan u ndalua nga forcat e sigurisë së Azerbajxhanit në shtator të vitit 2023 ndërsa përpiqej të ikte nga republika. Biznesmeni i lindur në Armeni kishte hequr dorë nga shtetësia e tij ruse pasi u zhvendos në Nagorno-Karabak dhe iu bashkua qeverisë së tij në vitin 2022.
Familja e Vardanyan tha në një deklaratë se dënimi ishte “tmerrues, por i pritshëm”, duke shtuar se seancat u zhvilluan me dyer të mbyllura, gjë që është “e papajtueshme me standardet e një gjyqi të drejtë, jo vetëm sipas ligjit ndërkombëtar, por edhe sipas ligjit të Azerbajxhanit”.
“Kushdo që e njeh Rubenin personalisht ose ka bashkëpunuar me të profesionalisht, e kupton absurditetin dhe mospërputhjen e akuzave kundër tij,” thuhej në deklaratë.
Një prokuror i shtetit të Azerbajxhanit kishte kërkuar më parë dënim të përjetshëm për biznesmenin.
Vardanyan, 57 vjeç, e krijoi pasurinë e tij në vitet 1990 si bashkëthemelues i firmës së investimeve Troika Dialogue. Kompania u ble në vitin 2011 nga huadhënësi më i madh i Rusisë, Sber, në një marrëveshje të vlerësuar në 1.4 miliardë dollarë.