
Korporata Elektroenergjike Shqiptare (KESH) ka njoftuar se prej paradites së sotme kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentralet në kaskadën e lumit Drin: Hidrocentrali i Fierzës, Hidrocentrali i Komanit dhe Hidrocentrali i Vaut të Dejës.
Si pasojë e shkarkimeve, si dhe për shkak të reshjeve dhe rritjes së temperaturave, gjatë pasdites është konstatuar rritje e niveleve të Drinit dhe Bunës, si edhe të Liqenit të Shkodrës. Sipas njoftimit, situata mund të sjellë rritje të mëtejshme të niveleve të lumenjve, veçanërisht në territorin e Nënshkodrës.
Bashkia Shkodër ka bërë të ditur se ka marrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e situatës në bashkëpunim me strukturat e emergjencave civile. Ekipet ndodhen në terren, në monitorim të pandërprerë dhe në gatishmëri të plotë për çdo zhvillim të mundshëm.