Vendosni fjalën kyçe....

SHBA do shpenzojë 38 miliardë dollarë për qendra të reja masive për pritjen e emigrantëve


Shërbimi i Emigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) planifikon të shpenzojë 38.3 miliardë dollarë deri në fund të vitit për qendra ndalimi, me qëllim ndalimin dhe procesimin e dhjetëra mijëra emigrantëve të parashikuar për dëbim, sipas një përmbledhjeje të planit të publikuar nga zyra e Guvernatores së Neë Hampshire, Kelly Ayotte.

Dokumenti u sigurua nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) pas një kërkese që Ayotte bëri pas një seance dëgjimore në Senatin e SHBA-së të enjten, tha zyra e saj në një njoftim për shtyp të premten.

Sipas planit, ICE synon të blejë 16 ndërtesa ekzistuese dhe t’i rinovojë ato për të shërbyer si qendra rajonale procesimi që mund të mbajnë 1,000 deri në 1,500 të ndaluar për qëndrime mesatare prej tre deri në shtatë ditë.

Agjencia do hapë gjithashtu tetë qendra të mëdha ndalimi të afta për të mbajtur 7,000 deri në 10,000 të ndaluar për një mesatare prej rreth 60 ditësh, të cilat do shërbejnë si “vendi parësor” për emigrantët që dëbohen jashtë vendit.

Përveç kësaj, ICE do marrë edhe 10 objekte shtesë aty ku agjencia operon aktualisht, sipas planit. Plani specifikon se këto qendra janë të nevojshme ndërsa ICE përgatitet për një valë të pritshme arrestimesh në vitin 2026, pas punësimit të 12,000 agjentëve të tjerë.

“Ky model i ri do t’i lejojë ICE-së të krijojë një rrjet efikas ndalimi duke ulur numrin e përgjithshëm të objekteve të ndalimit me kontratë në përdorim, ndërkohë që rrit kapacitetin total të shtretërve, përmirëson menaxhimin e kujdestarisë dhe rrit efikasitetin e operacioneve të largimit,” lexohet në dokument.

ICE planifikon të punësojë kontraktorë për të kryer rinovimet e ndërtesave për të ndërtuar hapësira ndalimi, shërbime mjekësore dhe dentare, kafeteri, lobi, zona rekreative, konvikte dhe hapësira për salla gjyqi. Objektet do sigurojnë “ndalim civil të sigurt dhe njerëzor të të huajve”, sipas dokumentit.

Qendrat e ndalimit do paguhen me fonde nga paketa masive e shpenzimeve që Kongresi i kontrolluar nga Republikanët miratoi në korrik 2025. Ajo paketë, e njohur si “One Big Beautiful Bill”, përfshinte një shifër të paprecedentë prej 170 miliardë dollarësh për zbatimin e ligjit të emigracionit, duke përfshirë 45 miliardë dollarë për ndalimin. Për krahasim, buxheti i vitit fiskal 2024 përfshinte 3.4 miliardë dollarë për ndalimin e emigrantëve. Një zëdhënës i DHS-së nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

ICE pret që objektet të jenë në punë deri në fund të nëntorit 2026, dhe ato do rrisnin kapacitetin total të agjencisë në 92,600 shtretër, sipas dokumentit. Numri i njerëzve në ndalimin e ICE-së është rritur me rreth 74% që kur Trump mori detyrën në janar 2025, duke arritur në më shumë se 68,000 këtë muaj, tregojnë të dhënat qeveritare, shkruan TRT.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka udhëhequr një shtrëngim të gjerë të masave ndaj emigracionit që nga rikthimi në detyrë vitin e kaluar. Administrata ka dërguar agjentë emigracioni në qytetet kryesore të SHBA-së, ka rritur arrestimet e emigrantëve që ndodhen ilegalisht në SHBA, ka goditur kalimet e paligjshme kufitare dhe ka zgjeruar rrethin e njerëzve që mund të dëbohen duke u hequr statusin e përkohshëm ligjor qindra mijëra emigrantëve.

Pavarësisht shenjave në rritje të një reagimi politik përpara zgjedhjeve afatmesme të vitit të ardhshëm, administrata Trump është e gatshme të intensifikojë zbatimin e imigracionit këtë vit me fondet që Kongresi i dha ICE-së për të punësuar mijëra agjentë, për të ndaluar më shumë se 100,000 emigrantë në çdo kohë të dhënë dhe për të zgjeruar mbikëqyrjen për të gjurmuar shkelësit e mundshëm të imigracionit.