
Transporti modern ka shënuar një pikë kthese të rëndësishme me hapjen e stacionit hekurudhor më të madh në botë që përfaqëson një gur kilometrik në transportin modern.
Sipas Monitor, ky projekt, i realizuar në qytetin kinez Chongqing, përfaqëson një përparim të paprecedentë në aspektin e infrastrukturës, teknologjisë dhe projektimit urban.
Nga MSc. Roland Tashi, ekspert i çështjeve të sigurisë
Për të kuptuar qëllimin e këtij investimi super gjigant është e nevojshme të evidentohen disa karakteristika; pozicioni gjeografik, industria si dhe bizneset që zhvillohen në këtë qytet.
Chongqing ndodhet në jugperëndim të Kinës, shtrihet në rajonin Sichuan përgjatë lumit Yangtze dhe kufizohet me provincat Sichuan, Guizhou, Hubei, Hunan dhe Shaanxi.
Është një nga qytetet më industriale të Kinës, ka të zhvilluar industrinë e automjeteve sidomos makinat ekonomike dhe elektrike, prodhon makineri për industrinë e rëndë, pajisje dhe komponentë elektronikë, produkte kimike, industri ushqimore etj., si dhe ka fuqi të madhe punëtore.
Kompleksi hekurudhor, me një sipërfaqe që i kalon 1.2 milionë metra katrorë (120 hektarë), është i krahasueshëm me 170 fusha futbolli dhe ka kapacitetin për të transportuar deri në 16.000 pasagjerë në orë.
Stacioni, i njohur si Chongqing East Railway Station, u përurua zyrtarisht më 27 qershor 2025 pas një periudhe ndërtimi prej rreth shtatë vitesh.
Zhvillimi i tij përfshiu një investim prej 7,8 miliardë dollarësh dhe ndërthur një arkitekturë të frymëzuar nga stili cyberpunk (kombinim mes teknologjisë shumë të avancuar dhe realitetit urban) me elemente natyrore karakteristike të rajonit malor të qytetit.
Arkitektura dhe organizimi i brendshëm
Chongqing East Railway Station, që në hyrjen kryesore, i ngjan më shumë një aeroporti modern se sa një stacioni hekurudhor. Ai disponon 15 platforma dhe 29 shina, të mirorganizuara që të shmangin mbingarkesën edhe gjatë orëve të pikut.
Brenda sallave të pritjes ndodhen mbi pesë mijë vende ulëse, një mijë prej të cilave të pajisura me porta USB, si dhe restorante, biznese të ndryshme, si dhe ekrane digjitale që mbulojnë me informacion çdo sektor të kompleksit.
- Arkitektura e stacionit pasqyron ndërthurjen mes natyrës dhe inovacionit që karakterizon qytetin.
- Dizajni kombinon ndriçimin neon me aksesorë metalikë, duke evokuar një estetikë futuriste.
- Kolonat mbajtëse kryesore janë projektuar për të imituar pemët hungjue, tipike të rajonit.
- Kanalet e ventilimit kanë formën e luleve, ndërsa tabelat sinjalizuese janë të realizuara me bambù/dru karakteristik për zonën.

Teknologjia e përdorur
Sipas raportimeve nga mediat kineze, stacioni u ndërtua me ndihmën e teknologjisë së përparuar dhe robotëve, duke përdorur makina automatike për instalime dhe përpunime me saktësi të lartë, një revolucion teknologjik në mënyrën se si ndërtohen objektet e mëdha infrastrukturore.
Kjo ndihmoi për të përshpejtuar punimet, për të ulur kostot dhe për të përmirësuar sigurinë e punëtorëve në kushte ekstreme të motit.
Nga ky stacion është e mundur të arrihen qytete si Shangai, Chengdu, Guangzhou dhe Pekini, me udhëtime që zgjasin nga gjashtë deri në tetë orë, me shpejtësi deri në 350 km/orë. Për më tepër, ai lidh linjat Chongqing–Xiamen, Shangai–Chongqing–Chengdu dhe Chongqing–Wanzhou, duke e konsoliduar rajonin si një bosht themelor të sistemit hekurudhor kinez.

Media të huaja e krahasojnë madhësinë e Chongqing East me stacionin ikonë të Nju Jorkut, Grand Central, duke vënë në dukje se ai është mbi pesë herë më i madh se ky i fundit, një mënyrë për të ndihmuar lexuesit të kuptojnë shkallën e tij kolosale.
Versionet jashtë Kinës e përshkruajnë stacionin si një “terminal futuristik”, me hapësira të mëdha, dritare gjysmëqelqi që lejojnë dritën natyrale të hyjë brenda dhe me lidhje të integruara me metronë dhe autobusin, që e bëjnë stacionin më shumë se një pikë udhëtimi, një qendër transporti urbane, një qendër biznesi dhe informacioni.