Vendosni fjalën kyçe....

Rama ironizon gjyqtarët: Ky është rasti ideal, të shkojmë të gjithë në paraburgim për shpërdorim detyre



Kryeministri Edi Rama prezantoi sot programin për konkursin ndërkombëtar të Qendrës së Drejtësisë, duke theksuar problematikat e hershme të sektorit dhe duke shtuar edhe nota ironike ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Rama theksoi se ndërtimi i korpusit të ri do të japë një frymë të re sistemit të drejtësisë, i cili më herët është përballur me vonesa “katastrofike” në menaxhimin e çështjeve gjyqësore. Ai shtoi se ndërtesat ekzistuese ishin pjesërisht “pa leje” dhe pjesërisht “me leje”, duke krijuar vështirësi për funksionimin e institucioneve.

“Po të kesh parasysh se në ça ndërtesash jemi formuar ne, jemi si ndërtime gjysmë pa leje dhe gjysmë me leje. Duhet të bëjmë diçka që t’i rezistojë kohërave. Në këtë drejtim është problematike për të gjithë, jo vetëm për sistemin e drejtësisë. Sot kemi institucione që janë qiramarrës të godinave private. Kemi nisur një proces që do të na çojë në zgjidhje përfundimtare me korporatën e investimeve, duke marrë të gjitha pronat shtetërore dhe duke i vënë në dispozicion të interesit publik,” tha Rama.

Kryeministri shtoi se sistemi i drejtësisë duhet të funksionojë sipas standardeve më të larta dhe me një menaxhim të bashkuar, duke theksuar se “nuk mund të ketë secili HEC të vetë”, duke bërë aluzion për mungesën e uniformitetit në aksesin tek informacioni dhe sistemet ekzistuese.

Ai nuk i kurseu ironitë për prokurorët dhe gjyqtarët, duke marrë spunto nga vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, pro SPAK, që shkarkoi Belinda Ballukun:
“Ky është rasti ideal, sepse jeni përfshirë dhe ju tani, që të shkojmë në paraburgim të gjithë për shpërdorim detyre,” u shpreh Rama me ironi.

Kryeministri gjithashtu theksoi rëndësinë e respektit për pozicionin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe simbolikën që do të japin muret e ndërtesës së re: “Edhe muret tia thonë atij dhe asaj: je i privilegjuar nga ky shtet. Është privilegj të bësh punën që bën. Ndaj do e bëjmë këtë sforco. Kjo është përpjekje që nuk ndalet, pavarësisht surprizave që na bëni herë pas here.”