Vendosni fjalën kyçe....

Zvicra do votojë për kufizimin e popullsisë në 10 milionë banorë


Zvicra do të mbajë një votim mbi një propozim për të kufizuar popullsinë e vendit në 10 milionë banorë, një masë që mund të kërcënojë marrëveshjet kyçe me BE-në dhe të kufizojë aksesin e kompanive te punëtorët e huaj të kualifikuar.

Nisma, e cila mblodhi 100,000 nënshkrime për të detyruar votimin kombëtar sipas sistemit të demokracisë direkte, mbështetet nga Partia Popullore Zvicerane (SVP) dhe do të votohet në mes të qershorit, njoftoi qeveria. Ajo parashikon që popullsia e përhershme rezidente të mos kalojë 10 milionë deri në vitin 2050, dhe të aktivizohen masa nëse tejkalohet pragun 9.5 milionë, duke përfshirë kufizime në azil dhe bashkimin familjar.

Popullsia aktuale e Zvicrës është 9.1 milionë dhe vendi ka një nga nivelet më të larta të imigracionit në Evropë, me 27% banorë të huaj. Rritja e popullsisë me rreth 25% që nga viti 2000 ka nxitur shqetësime mbi infrastrukturën, strehimin dhe shërbimet publike.

SVP argumenton se rritja e shpejtë e popullsisë po mbingarkon infrastrukturën, po dëmton mjedisin dhe po rrit çmimet e qirave. Një sondazh i fundit tregoi se 48% e të anketuarve mbështesin masën, ndërsa një sondazh tjetër tregon se 60% dëshirojnë kufizim të imigracionit.

Sipas propozimit, nëse popullsia kalon 10 milionë, qeveria duhet të përdorë çdo mjet politik për ta ulur atë, duke përfshirë rinegocimin ose anulimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që lehtësojnë lëvizjen e njerëzve mes Zvicrës dhe BE-së. Megjithatë, dokumenti nuk përcakton një kuotë të detajuar ose sistem menaxhimi për migracionin; kufiri do të përkthehej praktikisht në ndalesë pothuajse totale të imigracionit shtesë.

Ekspertët paralajmërojnë se një votë ‘po’ mund të ketë pasoja të rënda për kompanitë zvicerane me fokus global, si Nestlé, Novartis dhe Roche, të cilat mbështeten te punëtorët e huaj. Grupi i lobit Economiesuisse e përshkroi nismën si një “nismë kaosi”, duke paralajmëruar humbje të inovacionit, ngadalësim të rritjes ekonomike dhe rrezik për marrëveshjet me BE-në, përfshirë aksesin në tregun e vetëm dhe sistemet e Shengenit dhe Dublinit, shkruan FT.

Profesor Christian Joppke nga Universiteti i Bernës tha se shqetësimet mbi infrastruktura, strehimin dhe shërbimet publike janë reale, por miratimi i propozimit do të ishte shkatërrues për vendin.