Vendosni fjalën kyçe....

Protesta e opozitës, mbi 1300 efektivë në terren


Në bulevardin përpara Kryeministrisë pritet të nisë protesta e radhës e thirrur nga Partia Demokratike. Për mbarëvajtjen dhe sigurinë e tubimit, Policia e Shtetit ka angazhuar rreth 1 350 efektivë, ndërsa godina e Kryeministrisë është rrethuar me kangjella metalike dhe forca të shumta rendi.

Pak para orës 17:00, kryetari i PD-së, Sali Berisha, u paraqit në selinë e partisë, ku u prit nga një numër mbështetësish. Më pas, ai pritet t’i bashkohet protestës në bulevard.

Partia Demokratike kërkon largimin nga detyra të kryeministrit Edi Rama dhe zv/kryeministres Belinda Balluku.

Protesta zhvillohet në klimën e akuzave të opozitës se kreu i qeverisë po pengon mbledhjen e Këshillit të Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut. Për këtë të fundit mbeti në fuqi masa e pezullimit, pasi Gjykata Kushtetuese nuk arriti një vendim përfundimtar, duke u ndarë me vota 4 me 4.