Vendosni fjalën kyçe....

Macron: Europa po përballet me krizë politike dhe ekonomike, rrezikon të mbetet pas SHBA-së dhe Kinës



Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se Europa po përballet me një krizë serioze politike dhe ekonomike, duke paralajmëruar se Bashkimi Europian rrezikon të “fshihet nga skena” përballë konkurrencës në rritje nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina, përcjell DW.

Në një intervistë për disa gazeta, të publikuar të martën, përpara samitit të liderëve të BE-së që mbahet të enjten, Macron tha se Europa po përjeton një tronditje të thellë strategjike.

“Kemi cunamin kinez në frontin tregtar dhe kemi paqëndrueshmëri minutë pas minute nga ana amerikane. Këto dy kriza përbëjnë një goditje të thellë, një çarje për europianët”, u shpreh Macron.

Sipas tij, BE-ja duhet të shfrytëzojë atë që ai e quan “momenti i Groenlandës”, një sinjal alarmi për kërcënimet e jashtme, për të shtyrë përpara reformat ekonomike dhe për të ulur varësinë nga SHBA-ja dhe Kina.

Macron paralajmëroi se Bashkimi Europian nuk duhet të bjerë në një ndjenjë të rreme sigurie për shkak të një zbutjeje të përkohshme të tensioneve me SHBA-në, pas përplasjeve të fundit mbi Groenlandën, teknologjinë dhe tregtinë.

“Ka kërcënime dhe intimidime. Pastaj, papritur, Uashingtoni tërhiqet dhe ne mendojmë se gjithçka ka mbaruar. Por mos e besoni për asnjë çast. Çdo ditë ka kërcënime ndaj barnave, teknologjisë digjitale…”, tha ai.

Presidenti francez paralajmëroi konkretisht për mundësinë e vendosjes së tarifave amerikane nga presidenti Donald Trump, nëse BE-ja zbaton Aktin e Shërbimeve Digjitale për të rregulluar kompanitë e mëdha të teknologjisë.

“Kur ka agresion të hapur, nuk duhet të përkulemi apo të përpiqemi të arrijmë një marrëveshje. Këtë strategji e kemi provuar për muaj me radhë dhe nuk po funksionon. Për më tepër, ajo e shton varësinë e Europës”, u shpreh Macron.

Samiti i së enjtes do të diskutojë edhe propozimin e Francës për një strategji “Prodhuar në Europë”, e cila synon të vendosë nivele minimale të përmbajtjes së prodhuar në BE për mallrat që prodhohen brenda unionit.

Plani ka shkaktuar ndarje mes vendeve anëtare dhe shqetësime te industria automobilistike. Gjermania, Italia dhe vendet nordike kanë paralajmëruar se rregullat strikte vetëm për prodhimin europian mund të trembin investitorët.

“Për mua, strategjia ekonomike për ta bërë Europën një fuqi qëndron te ajo që unë e quaj mbrojtje, jo proteksionizëm, por preferencë europiane”, përfundoi Macron.