
Vendimi i qeverisë spanjolle për t’u dhënë status ligjor rreth 500 mijë emigrantëve pa dokumente ka ngjallur pakënaqësi të forta në Bruksel. Zyrtarë të Bashkimit Europian, të cituar nga Euronews në kushte anonimiteti, shprehen se Komisioni Europian ka “rezerva serioze” ndaj këtij hapi, duke vlerësuar se ai mund të bie ndesh me politikën aktuale të BE-së për migracionin.
Vendimi, i shpallur në fund të janarit nga qeveria e kryeministrit Pedro Sánchez, përfshin emigrantët që kanë hyrë në Spanjë para 31 dhjetorit 2025. Për të përfituar nga legalizimi, personat duhet të kenë jetuar në Spanjë për të paktën pesë muaj ose të kenë paraqitur kërkesë për azil para fundit të vitit 2025.
Sipas dekretit të ri, përfituesit do të pajisen me leje qëndrimi njëvjeçare dhe të drejtë pune në të gjithë territorin e Spanjës, në çdo sektor. Ministrja e Migracionit, Elma Saiz, e justifikoi masën si pjesë të objektivit të qeverisë për “rritje ekonomike dhe kohezion social”.
Megjithatë, zyrtarë të BE-së shprehen se kjo nismë “nuk është në përputhje me frymën e Bashkimit Europian për migracionin” dhe se një legalizim masiv rrezikon të dërgojë sinjale të gabuara, në një kohë kur BE po përpiqet të dekurajojë migracionin e parregullt.
Një nga shqetësimet kryesore në Bruksel lidhet me faktin se emigrantët e legalizuar do të kenë të drejtë të lëvizin lirshëm në zonën Shengen deri në 90 ditë brenda 180 ditëve, çka sipas burimeve mund të çojë në tentativa për vendosje të paligjshme në vende të tjera të BE-së.
Çështja pritet të diskutohet edhe në Parlamentin Europian, ku Komisioneri për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, do të raportojë mbi ndikimin e politikës së Spanjës në zonën Shengen dhe në politikën e përbashkët europiane të migracionit.
Vendimi i Madridit vjen në një moment kur shumica e vendeve të BE-së po ashpërsojnë politikat e azilit dhe kthimit të emigrantëve, në kuadër të zbatimit të Paktit të ri për Migracionin dhe Azilin, i cili synon kufizimin e migracionit të parregullt dhe përshpejtimin e procedurave të dëbimit.