Vendosni fjalën kyçe....

15 vjet nga 21 Janari — Ceremoni përkujtimore për katër protestuesit e vrarë, familjarët ende në pritje të drejtësisë



Të mërkurën do të zhvillohet ceremonia përkujtimore për katër protestuesit e vrarë më 21 janar 2011, në 15-vjetorin e ngjarjes së rëndë të ndodhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj humbën jetën gjatë protestës së asaj dite, ndërsa familjarët e tyre vijojnë ende të presin zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vendosjen e drejtësisë. Katër viktimat janë shpallur Dëshmorë të Atdheut.

Në korrik të vitit 2024, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nisi zyrtarisht hetimet për ngjarjen e 21 Janarit, pas vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Hetimi u hap mbi bazën e kallëzimit të bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha dhe ish-kreut të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi.

Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar vrasjen e katër protestuesve si një “krim shtetëror që duhej zbardhur”, duke theksuar detyrimin e autoriteteve shqiptare për një hetim efektiv dhe të plotë.