Vendosni fjalën kyçe....

“Do zgjerojmë ujërat territorale, të drejtat detare s’janë të negociueshme” – Ministri grek


Ministri i Jashtëm i Greqisë rikonfirmoi të premten në Parlament se zgjerimi i ujërave territoriale të vendit, përfshirë Detin Egje, është një e drejtë ekskluzive kombëtare dhe nuk i nënshtrohet negociatave, duke iu përgjigjur kështu deklaratave të fundit të ministrit të Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan.

George Gerapetritis foli gjatë një seance pyetje-përgjigje në Parlament, një ditë pasi komentet e Fidan u interpretuan nga disa si një tërheqje e pjesshme nga kërkesa e Ankarasë për një “zgjidhje paketë” gjithëpërfshirëse të mosmarrëveshjeve greko-turke.

“Ne nuk do diskutojmë çështje të sovranitetit kombëtar. Ne nuk jemi thjesht të barabartë, ne jemi në një pozicion fuqie reale, sepse kjo qeveri nuk i mbylli sytë përballë arenës globale,” tha ai.

Dialogu me Turqinë do vijojë, tha ai, por jo për çështjet e sovranitetit kombëtar.

Disa analistë e shohin qëndrimin e Fidan si një gjest që synon uljen e tensioneve përpara një takimi të planifikuar të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë të dy vendeve nën drejtimin e Kryeministrit Kyriakos Mitsotakis dhe Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, i cili pritet të mbahet në Ankara në fillim të shkurtit.

Vlerësimet greke gjithashtu e lidhin pozicionin e Turqisë me përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet, ndërsa Ankara kërkon qasje më të gjerë në sektorin e mbrojtjes të Bashkimit Evropian. Turqia aktualisht ka pjesëmarrje të kufizuar përmes mekanizmit SAFE dhe dëshiron njohje më të madhe për industrinë e saj të mbrojtjes si një mjet gjeopolitik.

Gerapetritis mbrojti menaxhimin e qeverisë për marrëdhëniet greko-turke dhe njoftoi nisma të mëtejshme detare, duke përfshirë planet për një park të dytë detar në Egje.

Ai tha se planifikimi hapësinor detar, parqet detare dhe marrëveshjet mbi zonat ekskluzive ekonomike dhe bashkëpunimin energjetik forcojnë sovranitetin e Greqisë dhe neutralizojnë pretendimet rivale. Ai shtoi se hapat si zgjerimi i ujërave territoriale në 12 milje detare, marrëveshjet me Egjiptin dhe Italinë, dhe zgjerimet e ardhshme do vijonin ashtu siç kishin proceduar më parë.

Ai tha se planifikimi detar i Greqisë është i integruar në legjislacionin e BE-së dhe argumentoi se pozicioni i vendit është përmirësuar që nga viti 2019. shkruan Kathimerini.