Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi akuzon Kuvendin për zvarritje të çështjes ‘Balluku’: Bllokimi 6-javor i dha mundësi të prishë provat


Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit të Kuvendit për të mbledhur Këshillin e Mandateve më 28 janar, ku do të shqyrtohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku.

Gazment Bardhi tha se vendimi vjen plot 6 javë pasi SPAK depozitoi kërkesën, duke e cilësuar këtë një “bllokim të paprecedent” dhe shkelje të Rregullores së Kuvendit.

Sipas tij, zvarritja ka ndihmuar të pandehurën Balluku të “tentojë prishjen e provave dhe intimidimin e dëshmitarëve”.

Në reagimin e tij, Bardhi akuzoi kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshin, se ka zbatuar “urdhrin politik të Edi Ramës” për të penguar drejtësinë.

Ai shtoi se mazhoranca është shndërruar në “bunker të të korruptuarve të qeverisë”, ndërsa nënvizoi se çdo përpjekje për të penguar hetimet lidhet me “frikën e Ramës se drejtësia po i afrohet vetë atij”.

PD deklaroi se dënon me forcë këtë veprim dhe paralajmëroi se do të vijojë presionin politik për të garantuar një proces të rregullt.

 

Reagimi i plotë

 

Pas kallëzimit penal për shpërdorim detyre nga Grupi Parlamentar i PD, sot pasdite Niko Peleshi ka njoftuar se do të mbledhë Këshillin e Mandateve në datën 28 Janar 2026, pra fiks 6 javë pasi SPAK ka paraqitur kërkesën.

Ky bllokim 6-javor është i paprecedent dhe një akt i lartë papërgjegjshmërie nga ana e mazhorancës socialiste, që ka vendosur të jetë bunkeri i të korruptuarve të qeverisë së Edi Ramës.

Pengimi i drejtësisë dhe bllokimi nga Kuvendi i shqyrtimit të kërkesës së SPAK për 6 javë, ka cënuar hetimet dhe i ka dhënë mundësi të pandehurës Balluku që të tentojë prishjen e provave/intimidimin e dëshmitarëve.

Edi Rama nuk fshihet më në vullnetin e tij për të mbrojtur korrupsionin qeveritar. Akte si këto, të diktuara nga tmerri se drejtësia po i afrohet më në fund atij vetë, tregojnë se sa të shpejtë dhe të dhimbshëm do ta ketë fundin e tij.

Në emër të Grupit Parlamentar të PD dënoj me forcë shkeljen e Rregullores nga Niko Peleshi dhe zbatimin prej tij të urdhërit politik të Edi Ramës për të zvarritur çështjen dhe për të penguar drejtësinë.