
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se administrata e tij është në bisedime për organizimin e një takimi me Teheranin, por paralajmëroi se mund të detyrohet të veprojë ushtarakisht përpara zhvillimit të tij, nëse vazhdon shtypja e dhunshme e protestave në Iran, përcjell Euronews.
Duke folur për gazetarët të dielën në mbrëmje, në bordin e “Air Force One”, Trump tha se Irani ka kërkuar negociata pas kërcënimeve të tij për ndërhyrje. “Ata janë lodhur duke u goditur nga Shtetet e Bashkuara. Irani dëshiron të negociojë. Takimi po përgatitet, por mund të na duhet të veprojmë përpara tij për shkak të asaj që po ndodh,” u shpreh Trump.
Deklaratat e presidentit amerikan vijnë ndërsa, sipas Agjencisë për Aktivistët e të Drejtave të Njeriut në Iran (HRANA), bilanci i viktimave nga protestat ka shkuar në të paktën 544 të vrarë. Po sipas të njëjtit burim, mbi 10.600 persona janë arrestuar gjatë dy javëve të demonstratave, ku 48 nga të vdekurit janë pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe 496 demonstrues.
Nuk ka pasur reagim të menjëhershëm nga autoritetet iraniane lidhur me pretendimin e Trump për kërkesë negociatash, ndërsa Teherani ka paralajmëruar se çdo ndërhyrje amerikane do të sillte hakmarrje. Parlamenti iranian ka deklaruar se forcat amerikane dhe Izraeli do të ishin “objektiva legjitime” në rast sulmi.
I pyetur për këto kërcënime, Trump u përgjigj shkurt: “Nëse e bëjnë këtë, ne do t’i godasim në nivele që nuk i kanë përjetuar kurrë më parë.” Ai shtoi se ushtria amerikane po shqyrton “opsione shumë të forta”.
Protestat në Iran nisën më 28 dhjetor, pas kolapsit të monedhës kombëtare rial, e cila ka arritur në mbi 1.4 milionë për dollar, në kushtet e sanksioneve ndërkombëtare dhe krizës ekonomike. Ato u shndërruan shpejt në thirrje të drejtpërdrejta kundër regjimit teokratik.
Me internetin dhe linjat telefonike të ndërprera në Iran, vlerësimi i situatës nga jashtë mbetet i vështirë, ndërsa komuniteti ndërkombëtar shpreh shqetësimin se izolimi informativ mund të nxisë një përshkallëzim edhe më të ashpër të dhunës nga autoritetet iraniane.