
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se SHBA do të marrë përkohësisht drejtimin e Venezuelës pas kapjes së presidentit Nicolás Maduro gjatë një operacioni ushtarak në shkallë të gjerë, të zhvilluar gjatë natës.
Duke folur nga Mar-a-Lago, Trump tha se operacioni ishte një sulm i përmasave të papara prej Luftës së Dytë Botërore dhe se autoritetet amerikane kanë marrë kontrollin për të garantuar një tranzicion të sigurt politik në vend.
“Ne do ta drejtojmë vendin derisa të vijë momenti për një tranzicion të sigurt, të drejtë dhe të kujdesshëm,” u shpreh Trump, pa dhënë një afat kohor konkret, përcjell CBS News.
Ai theksoi se nuk pret një valë të dytë sulmesh dhe se, sipas tij, asnjë ushtar amerikan nuk është vrarë gjatë operacionit.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, e cilësoi ndërhyrjen si një “operacion masiv të përbashkët ushtarak dhe të zbatimit të ligjit, të ekzekutuar në mënyrë perfekte.”
Trump konfirmoi se Maduro dhe bashkëshortja e tij janë nxjerrë jashtë Venezuelës dhe po dërgohen në Nju Jork, ku do të përballen me drejtësinë amerikane.
Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, bëri të ditur se ndaj Maduros ekziston një aktakuzë në Distriktin Jugor të Nju Jorkut për akuza të rënda, përfshirë narkoterrorizëm, trafik kokaine dhe posedim armësh të rënda.
Sipas saj, çifti do të përballet me “të gjithë ashpërsinë e drejtësisë amerikane në tokën amerikane.”
Presidenti amerikan dha edhe detaje për momentin e kapjes së Maduros, duke thënë se ai ndodhej në një rezidencë të fortifikuar, “më shumë si një fortesë sesa një shtëpi,” me dyer çeliku dhe hapësira sigurie.
“Ai po përpiqej të futej në një zonë të mbrojtur, por u kap kaq shpejt sa nuk ia doli,” tha Trump, duke shtuar se forcat amerikane ishin të përgatitura për çdo skenar.
Trump vlerësoi suksesin e operacionit dhe theksoi se ndërhyrja ishte planifikuar disa ditë më parë, por ishte shtyrë për shkak të kushteve të pafavorshme të motit.
“Kur kushtet u përmirësuan, ne dhamë urdhrin për të vepruar,” përfundoi ai.