
Udhëheqësi suprem i Iranit, ajatollah Ali Khamenei, është shprehur se Irani nuk do t’i nënshtrohet presionit amerikan, ndërsa protestat e shkaktuara nga kriza e thellë ekonomike kanë hyrë në ditën e pestë dhe Shtetet e Bashkuara kanë shtuar kërcënimet ndaj Teheranit.
Khamenei deklaroi se ata që ai i quajti “trazues” duhet të vihen në vendin e tyre, në një mesazh të regjistruar dhe transmetuar në televizionin shtetëror, përcjell Reuters.
Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, mbi 10 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë arrestuar gjatë protestave që shpërthyen pas rritjes së fortë të inflacionit dhe rënies së vazhdueshme të monedhës kombëtare, rialit.
Pamje të publikuara në rrjetet sociale, të cilat Reuters nuk arriti t’i verifikojë në mënyrë të pavarur, tregojnë qytetarë që u bëjnë thirrje iranianëve të tjerë t’u bashkohen protestave, duke brohoritur: “Nuk duam spektatorë, ejani me ne”.
Duke folur për krizën ekonomike, Khamenei pranoi se pakënaqësia e tregtarëve është e justifikuar. “Tregtarët e bazarit kanë të drejtë. Ata kanë të drejtë të thonë se nuk mund të bëjnë biznes në këto kushte”, tha ai, duke shtuar se autoritetet janë të gatshme të dialogojnë me protestuesit.
Megjithatë, ai bëri një dallim të qartë mes protestuesve dhe atyre që i cilësoi si trazues.
“Me protestuesit do të flasim, por të flasësh me trazuesit është e kotë. Trazuesit duhet të vihen në vendin e tyre”, u shpreh ai.
Dhuna është raportuar kryesisht në qytete të vogla në provincat perëndimore të Iranit, ku sipas mediave shtetërore dhe grupeve të të drejtave të njeriut, disa persona kanë humbur jetën.
Autoritetet kanë bërë të ditur se dy anëtarë të forcave të sigurisë janë vrarë dhe mbi një duzinë të tjerë janë plagosur gjatë përplasjeve.
Grupi kurd për të drejtat e njeriut Hengaw raportoi se deri të premten mbrëma kishte identifikuar 133 persona të arrestuar, një rritje e ndjeshme krahasuar me një ditë më parë.
Situata është tensionuar edhe më shumë pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se Shtetet e Bashkuara janë “gati dhe të përgatitura”, pa specifikuar se çfarë veprimesh mund të ndërmerren kundër Iranit.
Kërcënimi vjen disa muaj pasi SHBA-ja, në bashkëpunim me Izraelin, kreu sulme ajrore ndaj objekteve bërthamore iraniane dhe objektivave ushtarake, duke vrarë edhe figura të larta të komandës iraniane.
Presioni ndaj udhëheqjes iraniane po shtohet në një moment kur vendi po përjeton një nga periudhat më të vështira të dekadave të fundit.
Ekonomia, e goditur rëndë nga sanksionet, po tkurret, ndërsa qeveria po përballet me vështirësi serioze në furnizimin me ujë dhe energji elektrike në disa rajone.
Në të njëjtën kohë, Irani ka pësuar goditje të mëdha në pozicionin e tij rajonal që nga fillimi i luftës në Gaza në vitin 2023, përfshirë dobësimin e aleatëve të tij kryesorë dhe dëmtime të konsiderueshme në programin bërthamor.
Protestat aktuale janë më të mëdhatë që nga demonstratat masive të vitit 2022, të shpërthyera pas vdekjes në paraburgim të Mahsa Amini.
Edhe pse këto protesta nuk kanë arritur të njëjtën shkallë, ato përfaqësojnë, sipas vëzhguesve, sfidën më serioze të brendshme për autoritetet iraniane në tre vitet e fundit.