Vendosni fjalën kyçe....

Procedohen 3 persona për tregtim të paligjshëm të fishekzjarreve, sekuestrohen lëndë piroteknike në Peshkopi



Policia vijon zbatimin e planit të posaçëm operacional për parandalimin dhe goditjen e tregtimit të kundërligjshëm dhe të rrezikshëm të lëndëve piroteknike nga subjekte të paautorizuara, në prag të festave të fundvitit.

Gjatë kontrolleve në qytetin e Peshkopisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër konstatuan tre dyqane ku mbaheshin sasi fishekzjarresh dhe kapsollash, në kundërshtim me rregullat dhe kriteret e përcaktuara me ligj.

Për këto raste, materialet u referuan në Prokurorinë e Dibrës dhe nisi procedimi penal ndaj tre shtetasve, O.D., A.K. dhe D.M. Gjithashtu, u sekuestruan disa kuti me lëndë piroteknike që mbaheshin me qëllim shitjen e tyre të paligjshme.

Policia bën me dije se kontrollet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e rreziqeve për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Në këtë kuadër, Policia e Dibrës u bën thirrje qytetarëve dhe subjekteve tregtare të mos përdorin dhe të mos tregtojnë lëndë piroteknike në kundërshtim me ligjin, pasi kjo veprimtari përbën rrezik serioz dhe ndëshkohet sipas legjislacionit në fuqi.