
Antonio La Cava, një mësues në pension i njohur si “Maestro”, drejton trerrotshiën e tij plot me libra nga Moliterno në Ferrandina, pjesë e rrugës së tij të rregullt përmes qyteteve të vogla në Basilicata, Itali, më 17 shtator 2025
Në fund të viteve 1990, mësuesi i shkollës fillore Antonio La Cava u alarmua kur vuri re se nxënësit në rajonin e tij, Basilicata (në jug të Italisë), nuk kishin asnjë lidhje me librat që kishin formësuar rininë e tij.
Për ta ndryshuar këtë, ai bashkëpunoi me një zejtar vendas për të shndërruar një furgon dërgesash me tre rrota në “Bibliomotocarro” – një bibliotekë lëvizëse që mund të arrinte te fëmijët që jetonin në qoshet më të largëta të Basilicatës.
Që nga viti 1999, La Cava – i cili doli në pension në vitin 2010 pas katër dekadash si mësues – ka drejtuar furgonin ngjyrë blu të hapur, të pagëzuar nga mediat italiane si “biblioteka më e vogël e Italisë”, nëpër kodra dhe fusha për mbi 300,000 kilometra në Basilicata dhe rajonet fqinje.
Pasi u takua me fëmijët jashtë një biblioteke në qytetin e Moliternos, 80-vjeçari La Cava tregon për Reuters ëndrrat e tij që një “Bibliomotocarro” të lëvizë në çdo provincë të Italisë (ku shkalla e leximit është më e ulët se mesatarja evropiane) dhe të frymëzojë brezin e ardhshëm të bibliotekarëve.
Cila është rëndësia e bibliotekave në një botë që po bëhet gjithnjë e më dixhitale?
Leximi ka qenë gjithmonë i rëndësishëm. Sot është edhe më shumë me inteligjencën artificiale dhe mediat e reja masive, të cilat janë jashtëzakonisht të dobishme. Por ato nuk mund t’i zëvendësojnë librat dhe sharmat e tyre. Ne duhet të forcojmë identitetin tonë tani. Dhe këtë mund ta bëjmë përmes mjeteve më të mira: studimit, leximit dhe hulumtimit të thellë.
Numri i lexuesve të librave është i ulët në Itali, veçanërisht në jug. Çfarë mund të bëhet për ta përmbysur këtë gjë?
Unë ende pres që autoritetet më të larta – Ministritë e Arsimit dhe e Kulturës – të nxisin një qasje ndaj botës së leximit, e cila, siç e dimë, është një botë pa të cilën askush nuk mund të bëjë dot. Unë shkoja në San Paolo Albanese, qyteti më i vogël në Basilicata, vetëm për t’u dërguar libra dy fëmijëve, një vëllai dhe një motre të vogël. Udhetoja më shumë se 100 km për të shkuar dhe, natyrisht, po aq për t’u kthyer.
Pse zgjodhët furgonin me tre rrota? Është i vogël, i ngadaltë dhe jo shumë komod.
E zgjodha pikërisht për këtë arsye. Librat duhej të “shkundeshin”. Të mos harrojmë se për dekada, për shekuj, thuhej se kultura nuk ishte për të gjithë. Në Itali, kultura ishte gjithmonë për shtresat e larta. “Të dashur libra, braktisni raftet tuaja të larta dhe fisnike,” thashë. Dhe i vendosa në rafte modeste mbi një mjet modest me tre rrota. Librat dhe kultura duhej të bëheshin për të gjithë dhe të të gjithëve – një mjet rritjeje kulturore për mbarë popullin.

Sa qytete keni vizituar? Dhe cili ka qenë udhëtimi juaj më i gjatë?
Kam vizituar 121 nga 131 qytetet e Basilicatës, ku zakonisht ftohem nga shkollat ose autoritetet lokale. Kam huazuar qindra libra dhe zakonisht kthehem një herë në muaj në fshatra për t’i marrë mbrapsht. Udhëtimi im më i gjatë ishte në Napolit, para pak vitesh. Zgjati 11 orë.
A keni vënë re ndryshime në interesin dhe zakonet e leximit gjatë 30 viteve të fundit?
Në nivelin e fëmijërisë së hershme ka një rritje: ata lexojnë më shumë. Por pastaj ndodh një dukuri rreth moshës 13-14 vjeç, kur ata fillojnë të thonë: “Nuk jam më fëmijë – a duhet të lexoj ende?” Dhe kjo është shumë, shumë shqetësuese.
Brenda “Bibliomotocarro”-s ka një hapësirë ku fëmijët mund të ulen për të parë filma të shkurtër të frymëzuar nga librat. Është si një shtëpi, një strehë. Kur kthehemi në shtëpi pas një dite të vështirë, gjëja e parë që bëjmë është një psherëtimë lehtësimi: “Jam i sigurt.” Dhe ky është mesazhi: Libri është një strehë. Titujt më të huazuar janë “Geronimo Stilton” dhe klasikët si “David Copperfield” dhe “Njëzet mijë liga nën det”.

Pra, ju ofroni filma të shkurtër dhe libra. Po lidhur me shkrimin?
Ndër aktivitetet tona është një që është veçanërisht sugjestionues dhe i dobishëm: “librat e bardhë”, të cilët janë libra të përbërë nga tregime të shkruara nga fëmijë të qyteteve të ndryshme. Një tregim fillon në një qytet dhe më pas, kur kthehemi, libri i bardhë përfundon në duart e një fëmije nga një qytet tjetër i vogël, i cili mund ta lexojë atë tregim dhe të vendosë ta vazhdojë.
Është një punëtori shkrimi shëtitëse, por mbi të gjitha është një mundësi e jashtëzakonshme për të shkruar për veten. Unë gjithmonë u them prindërve dhe mësuesve: bëni kujdes nga vetmia e fëmijëve. Ata libra të bardhë ndihmojnë vërtet për të kapërcyer këtë problem të vetmisë, sepse kur një fëmijë shkruan një tekst dhe e di që fëmijët në qytete të tjera do ta lexojnë, kjo është disi shpërblyese.
Cilët janë librat tuaj të preferuar? Cili ishte i pari që keni lexuar?
Libri im i parë ishte “Fontamara” nga Ignazio Silone, të cilin nuk e mora nga një bibliotekë apo librari, por nga “Bibliobus” (biblioteka lëvizëse), një nismë e kaluar e bordeve shkollore provinciale, e cila në një farë mënyre frymëzoi “Bibliomotocarro”-n. Mbaj mend që kur e mora, e solla në shtëpi duke e shtrënguar në gjoks dhe me imagjinatën time të fëmijës mendova: “Ky erdhi vetëm për mua.” Është një skenë që e rishoh sa herë që vëzhgoj fëmijët në këto fshatra duke marrë librat e tyre.

Antonio La Cava, një mësues në pension i njohur si “Maestro” për drejtimin e një biblioteke të lëvizshme nëpër Bazilikatën rurale, flet me fëmijët në shkollën fillore Racioppi në Moliterno, Itali, më 17 shtator 2025
A mund të na tregoni për momentet më të mira dhe më të këqija që keni përjetuar që kur keni filluar të drejtoni “Bibliomotocarro”-n?
Kam marrë nderime nga më shumë se një president i Republikës Italiane. Por kënaqësia ime më e madhe është takimi me fëmijët. Atëherë e kupton se ia vlen të ngrihesh në orën gjashtë të mëngjesit dhe të nisësh rrugën me një mjet që ndonjëherë e ka të vështirë të ndizet. Por fillimi ishte i vështirë. 12-13 vitet e para të “Bibliomotocarro”-s kaluan në një vetmi që ishte e hidhur dhe e dhimbshme. Pastaj ndodhi një dalje prej 56 sekondash në median shtetërore Rai dhe kjo më dha dukshmëri.
Çfarë shpresoni të lini si trashëgimi të “Bibliomotocarro”-s?
Jam në kontakt me një institut të paraburgimit për të mitur ku janë 17 të rinj të ndaluar. Do të takoj katër prej tyre, të cilëve do t’u prezantoj aktivitetet e “Bibliomotocarro”-s. Të katërt këta të rinj, ose njëri prej tyre, do bëhen asistentët e mi kur të shkoj në shkolla. Nuk do jem vetëm. Do të jem me një mysafir nga instituti i të miturve. Ëndrra ime është që ky person i ri që tani ndodhet atje, në institut, të jetë shoferi i ardhshëm i “Bibliomotocarro”-s.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani