
Prokurorët italianë thanë të shtunën se kishin arrestuar nëntë persona me dyshimin për financim të Hamasit përmes organizatave bamirëse me seli në Itali, në një operacion të koordinuar nga njësitë antimafia dhe antiterrorizëm.
Të dyshuarit akuzohen se “i përkasin dhe e kanë financuar” grupin palestinez – i klasifikuar si grup terrorist nga Izraeli, aleati i tij kryesor SHBA-të dhe Bashkimi Evropian – thanë prokurorët në qytetin verior italian të Xhenovës në një deklaratë.
Të arrestuarit dyshohet se i kanë dërguar subjekteve të lidhura me Hamasin rreth 7 milionë euro (8.2 milionë dollarë) të mbledhura gjatë dy viteve të fundit për qëllime në dukje humanitare, thanë prokurorët. Policia sekuestroi asete me vlerë më shumë se 8 milionë euro.
Në një deklaratë tjetër, policia tha se oficerët kishin sekuestruar 1.08 milion euro në para të gatshme të gjetura në zyrat e një organizate bamirëse pro-palestineze dhe në shtëpitë e të dyshuarve, si dhe materiale mbështetëse të Hamasit, armikut të Izraelit në luftën dyvjeçare në Gaza .
Hetimi italian filloi pasi transaksione të dyshimta financiare u identifikuan nëpërmjet bashkëpunimit me autoritetet holandeze dhe vendet e tjera të BE-së, të koordinuara përmes agjencisë gjyqësore të BE-së Eurojust.
Kryeministrja Giorgia Meloni falënderoi autoritetet për “një operacion veçanërisht kompleks dhe të rëndësishëm” që zbuloi financimin për Hamasin përmes “të ashtuquajturave organizata bamirësie”./Reuters