
Një rezervist nga një njësi e mbrojtjes kufitare është filmuar ditën e djeshme më 25 dhjetor 2025 në zonën e Ramallahut duke shtypur një palestinez me një motomjet (ATV) dhe duke qëlluar drejt palestinezëve në fshatin Deir Jarir, njoftoi ushtria.
Ushtria Izraelite (IDF) tha se ka filluar shqyrtimin e incidentit dhe po shqyrton nëse do hapë një hetim zyrtar nga policia ushtarake. Deri të enjten, nuk ishte shpallur asnjë hetim i tillë. Rezervisti u shkarkua nga shërbimi dhe arma iu konfiskua.
Lidhur me të shtënat, ushtria tha se veprimet e ushtarit përbënin një “shmangie të rëndë nga autoriteti i tij”. Janë raportuar dy persona të lënduar, ndonëse gjendja e tyre nuk ishte menjëherë e qartë. Sipas mediave lokale, njëri prej tyre u shtyp teksa po falej në anë të rrugës.
“IDF dënon ashpër dhe sheh me shumë rëndësi çdo shfaqje të dhunës dhe kërkon që ushtarët dhe komandantët e saj të veprojnë në përputhje me vlerat e kodit të etikës së IDF-së”, tha ushtria në një deklaratë.
Raportet për dhunë kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor janë rritur muajt e fundit. Në fillim të kësaj jave, gjatë natës mes të hënës dhe të martës, forcat izraelite të sigurisë arrestuan pesë të dyshuar izraelitë nën dyshimin për përfshirje në një sulm të dhunshëm ndaj një familjeje palestineze në zonën Masafer Yatta në jug të Kodrave të Hebronit.
Tre anëtarë të familjes, përfshirë fëmijë, patën nevojë për trajtim mjekësor dhe u dërguan në spital. Banorët raportuan gjithashtu se tre dele ishin therur, dyshohet nga grupi që bastisi shtëpinë e familjes, shkruan Ynet.
Banorët vendas thanë se familja është përballur me sulme të përsëritura që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023. Ata treguan se natën e incidentit të fundit, kolonët nga vendbanimi fqinj i Susya-s thyen dritaret, vandalizuan pasurinë shtëpiake dhe dëmtuan një automjet. Ata gjithashtu pretenduan se sulmuesit përdorën thika kundër kopesë së familjes, duke plagosur disa kafshë.