
Një aksident i rëndë automobilistik është regjistruar mesditën e sotme në rrugën nacionale Maqellarë–Peshkopi, pranë fshatit Dovellan.
Sipas të dhënave paraprake, në përplasje janë përfshirë katër automjete, ndërsa raportohet për disa persona të lënduar, pa u konfirmuar ende numri i saktë i tyre apo gjendja shëndetësore.
Dyshimet e para flasin se shkak i aksidentit ka qenë mjegulla e dendur e shoqëruar me lagështirë në asfalt, faktorë që kanë ulur ndjeshëm dukshmërinë dhe kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve.
Segmenti ku ndodhi aksidenti është pjesë e Rrugës së Arbrit, një zonë ku janë shënuar edhe më herët ngjarje të ngjashme për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë janë nisur drejt vendngjarjes për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit dhe për të menaxhuar qarkullimin, i cili është ngadalësuar për shkak të ndërhyrjes së forcave të emergjencës.
Mjegulla e dendur, e pranishme prej më shumë se tre javësh në qarkun e Dibrës, vijon të përbëjë një rrezik serioz për sigurinë rrugore.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes maksimal, veçanërisht gjatë kësaj periudhe festash, kur fluksi i automjeteve është rritur ndjeshëm si pasojë e ardhjes së emigrantëve për festat e fundvitit.