
Huamarrja e qeverisë shqiptare në tregun e brendshëm financiar do të rritet lehtë në tremujorin e parë të vitit 2025, përcjell Monitor.
Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave, huamarrja e planifikuar do të ketë vlerën e 134 miliardë lekëve, në rritje me 1.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në pjesën më të madhe, huamarrja e qeverisë në tregun e brendshëm financiar konsiston në rinovim ose rifinancim të instrumenteve të maturuara. Rifinancimi i borxhit ekzistues tentohet të bëhet kryesisht nëpërmjet bonove të thesarit, ndërsa mbulimi i deficitit të ri të krijuar synohet të realizohet nëpërmjet obligacioneve.
Ministria e Financave ka planifikuar emetimin për herë të parë të obligacioneve 2.5vjeçare, në muajt janar dhe shkurt.
Por, tremujori i parë 2026 pritet të ofrojë mundësi të reja investimi për investitorët e interesuar në instrumente afatgjata.
Në muajin janar do të zhvillohet ankandi i pestë për emetimin e obligacioneve 20-vjeçare, ndërsa në muajin mars do të bëhet rihapja e tij. Obligacionet 20-vjeçare janë instrumentet më afatgjata të borxhit të emetuara ndonjëherë nga qeveria shqiptare. Ato u emetuan për herë të parë në vitin 2025.
Këto instrumente janë një alternativë e mirë sidomos për investitorët institucionalë. Veçanërisht për shoqëritë që administrojnë fonde me horizont afatgjatë, si fondet private të pensionit, obligacionet 20 vjeçare krijojnë mundësi për të pasuruar spektrin e titujve në portofolet e tyre dhe për të rritur kthimet nga investimi për anëtarët.
Në muajin janar do të zhvillohet gjithashtu ankandi i ri i obligacioneve 10-vjeçare, ndërsa në muajin mars do të kryhet rihapja e tij. Ndërkohë, në muajin shkurt do të zhvillohet ai i obligacioneve 15-vjeçare.
Zakonisht, tremujori i parë i vitit është periudha me përqendrimin më të madh të huamarrjes së qeverisë shqiptare. Kjo ndodh kryesisht për shkak të një prirjeje më të madhe të investitorëve, kryesisht bankave tregtare, për të ndjekur objektivat e buxheteve vjetore në pjesën e parë të vitit.
Por, nga ana tjetër shpenzimet buxhetore realizohen në pjesën dërrmuese në muajt e fundit të vitit, sidomos në pjesën që u takon investimeve publike. Huamarrja në avancë dhe krijimi i tepricave të mëdha të likuiditetit krijon kosto të shtuara për interesa borxhi.
Megjithëse huamarrje në tremujorin e parë pritet të rritet lehtë, në tërësi për vitin 2026 ajo parashikohet të ketë një vlerë më të ulët krahasuar me një vit më parë.
Sipas buxhetit të vitit 2025, vlera e përgjithshme e huamarrjes së re të parashikuar për t’u financuar në tregun e brendshëm është 45 miliardë lekë, vlerë kjo 10% më e ulët krahasuar me atë të parashikuar në buxhetin e vitit 2025./ E.Shehu
