
Pas çeljes së Grupit të Kapitullit 5 në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare, hapet një fazë e re për bujqësinë shqiptare në kuadër të procesit të integrimit europian. Kapitujt 11, 12 dhe 13, që lidhen drejtpërdrejt me bujqësinë, sigurinë ushqimore dhe peshkimin, do të jenë në qendër të reformave drejt Bashkimit Europian.
Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në aktivitetin “Me fermerët në Shqipërinë 2030”, ku u prezantuan mekanizmat praktikë për përgatitjen hap pas hapi të sektorit bujqësor drejt anëtarësimit në BE.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se negociatat dhe marrëveshja e anëtarësimit nuk janë procese formale apo deklarative, por kontrata shtetërore komplekse që kërkojnë përmbushjen e detyrimeve konkrete nga të gjithë aktorët.
“Negociatat me Bashkimin Europian dhe marrëveshja e anëtarësimit nuk janë thjesht fjalë apo procese të lidhura me atë që shkruajmë në letër. Ato janë kontrata shtetërore shumë komplekse, ku çdo faktor duhet t’i përgjigjet kontratës. Kontrata për bujqësinë është më e vështira, siç e ka treguar edhe eksperienca e vendeve të tjera,” u shpreh kryeministri.
Sipas tij, ky proces do të kërkojë angazhim të lartë institucional dhe bashkëpunim të ngushtë me fermerët, për të garantuar përputhjen me standardet europiane dhe përfitimet afatgjata për sektorin bujqësor shqiptar.